Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) vazhdon të ballafaqohet me mungesën e disa barnave nga listat esenciale, si dhe të materialit shpenzues, të cilët tashmë një kohë po mungojnë në spitale. As tri klinikat ku trajtohen disa nga rastet më të rënda (Klinika Emergjente, Onkologjia dhe Kirurgjia) këtë vit nuk janë të furnizuara mjaftueshëm me produktet esenciale. Blerja e barnave për të cilat Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 28 milionë euro vazhdon të mbetet barrë për pacientët, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Naser Korça, nga Kaçaniku, i cili e ka të shtrirë gruan e tij në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka thënë për “Zërin” se prejse ajo ka filluar trajtimin ka pasur mungesa të disa barnave, të cilat ai është dashur t’i blejë vetë.
Për më shumë Korça ka treguar se ka pasur mungesa edhe të barnave për kimioterapi.
“I kam blerë vetëm pesë ampula, diku 10 euro kanë kushtuar, nuk kanë kushtuar shtrenjtë. Para tre javësh kam qenë këtu, nuk ka pasur barna fare, as në kimioterapi nuk ka pasur kështu që mjeku më propozoi pas dy-tri javësh të vij prapë dhe tani ishte e furnizuar pak më mirë”, ka thënë ai.