Me një manifestim të organizuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit, Komuna e Podujevës ka shënuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, me ç’rast me mirënjohje janë nderuar veteranë të arsimit dhe mësimdhënës të dalluar, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, në sallën e Teatrit “Avdush Hasani” në Podujevë është mbajtur një manifestim, i organizuar nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Podujevës, ku përveç mësimdhënësve, ishin të pranishëm edhe nënkryetar i Komunës, Nexhmi Rudari dhe Agim Blakçori– drejtor në Drejtorinë Arsimit e zyrtarë të tjerë komunalë.

Nënkryetari Rudari, duke uruar mësimdhënësit për Ditën e Mësuesit, foli për zhvillimin e shkollës shqipe nëpër dekada dhe sprovat nëpër të cilat kaluan mësimdhënësit.

Me këtë rast nënkryetari Rudari tha se në këtë ditë të rëndësishme duhet të kujtojmë mësuesit tanë të parë që na mësuan shkronjat shqipe, na mësuan se si ta duam dhe ta respektojmë atdheun.

“Sot kemi arsye të fortë të krenohemi, pasi ideali i shumë brezave tonë është bërë realitet në shtetin e pavarur të Kosovës. Kemi institucionet të lira e demokratike në të gjitha nivelet dhe të gjithë, pa dallim gjendje sociale, moshe e gjinie, feje e etnie mund të shkollohen pa frikë dhe me krenari”, tha nënkryetari Rudari.

Drejtori i Arsimit, Agim Blakçori, pasi ka uruar mësimdhënësit për Ditën e Mësuesit, foli për zhvillimin e shkollës shqipe nëpër dekada dhe sprovat nëpër të cilat kaluan mësimdhënësit.

Më tej, drejtori Blakçori, tha se në Komunën e Podujevës është duke investuar shumë në ndërtimin e infrastrukturës shkollore, por tha se mbetet shumë për të bërë shumë në ngritjen e cilësisë në arsim.

Me këtë rast nënkryetari Nexhmi Rudari dhe drejtori i Arsimit, Agim Blakçori shpërndanë mirënjohje me të cilat Komuna ka nderuar mësimdhënësit veteranë dhe mësimdhënësit e dalluar të shkollave fillore dhe të mesme. Me mirënjohje të veçanta morën, post mortum, janë nderuar katër mësimdhënës që kanë ndërruar jetë në gjatë vitit të fundit. Mirënjohjet i morën familjarët e tyre./Llapi.info