Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit i Komunës së Podujevës sot është pajisur me automjetin sulmues për zjarrfikje. Kjo falë donacionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, respektivisht Agjensionit për Menaxhimin e Emergjencave.

Shefi i Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Podujevë, Milam Ajvazi, ka pranuar çelësat e automjetit sulmues për zjarrfikje të tipit “IVECO”, me një kapacitet prej 4000 litrash ujë nga kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu.

Kryetari i komunës së Podujevës, ka falënderuar ministrinë e Punëve të Brendshme për këtë donacion, duke thënë se përkrahja e kësaj ministrie ishte edhe premtim i Ministrit Skender Hyseni.

“Duke qenë i informuar për gjendjen jo të mirë të Shërbimit të Zjarrfikësve, për mungesë të automjeteve dhe pajisjeve, ministri Hyseni premtoi ndihmë për këtë shërbim dhe këtë e realizoi me dhurimin e këtij automjeti shumë të nevojshëm”, ka thënë Veliu.

Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit i Komunës së Podujevë vazhdimisht është përballur me mungesë të mjeteve të domosdoshme për intervenime në terren, kurse kërkesat për pajisje me mjete të nevojshme ishin të kahmotshme.

Me këtë automjet, vlera e të cilit është mbi 234 mijë euro, zjarrfikësit e Podujevës do të jenë më të shpejtë dhe më efikas në shuarjen e zjarreve./llapi.info