Është shëruar edhe pacienti i dytë i prekur me COVID-19 nga Komuna e Podujevës, raporton Llapi.info.
Kështu ka bërë të ditur nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari. Sipas tij, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka konfirmuar shërimin e plotë të pacientit.
“Kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin e mirë se sot nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u imformuam për shërimin e plotë të pacientit të dytë të infektuar me COVID-19 nga Komuna e Podujevës, kurse familja ku kishim personat e infektuar do të vazhdojë të qëndrojë në vetizolim. Lajmi tjetër i mirë është se nga ky moment është hequr masa e karantinës për fshatrat Dumnicë dhe Llaushë”, ka bërë të ditur Rudari nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook.
Vendimi që Dumnica e Poshtme, Dumnica e Epërme dhe Llausha, të futen në karantinë është bërë me 15 mars, pasi një person fillimisht ishte konfirmuar me virusin korona. Personi i parë i prekur më këtë virus kishte ardhur nga Italia, ndërsa ditë më vonë u konfirmuan edhe dy familjarë të tij të prekur me koronavirus.
Banorët e këtyre fshatrave ditë më parë kanë protestuar duke kërkuar që masa e izolimit të hiqet për ta.
Ndërkohë, deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 224 raste me koronavirus. Të vdekur si pasojë e Covid-19 janë 6./Llapi.info