Sot zhvillohet ndeshja finale e Kupës së Kosovës në futboll në mes të klubit nga Podujeva, KF Llapit dhe atij nga Klina, Dukagjinit, raporton Llapi.info.

Dueli mes dy finalistëve pritet të nis nga ora 20:45 në stadiumin e kryeqytetit “Fadil Vokrri”. E për këtë duel, qytetarë llapjanë janë bërë gati. Sheshi kryesor i këtij qyteti është dekoruar me flamuj të Llapit për të mbështetur klubin në ndeshjen vendimtare.

Llapi në këtë ndeshje kërkon medoemos fitore që i siguron ekipit nga Podujeva daljen në Evropë, derisa të njëjtin synim e kanë edhe dukagjinasit. Me triumfin në Kupën e Kosovës, Llapi automatikisht do të siguronte pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës, garë e re e themeluar nga UEFA, që do të zhvillohet prej edicionit të ardhshëm.

Për Llapin kjo është finalja e dytë në Kupën e Kosovës. Të parën, atë të vitit 2018, Llapi e pati humbur nga Besa e Pejës. Skuadra nga “Zahir Pajaziti” deri në finale ka eliminuar Onixin, Ballkanin, Trepçën ’89 dhe Prishtinën.

Në anën tjetër, Dukagjini ishte më i suksesshëm se Vllaznia e Pozheranit, 2 Korriku, Drenica dhe Istogu, ekip këtë të fundit që eliminoi vetëm me një ndeshje, kurse tjetrën e fitoi në tavolinë, për shkak të një lëshimi të Istogut./Llapi.info

No description available.