Në kuadër të muajit prill i cili ndryshe njihet edhe si muaji i Autizmit në sheshin e Podujevës, forumi i gruas së LDK-së, ka organizuar një aktivitet në ndihmë për fëmijët me Autizëm, njofton Llapi.info
Me moton “Blej një ëmbëlsirë, gëzo një fëmijë me autizëm” iu përgjigjën një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.
Drejtoresha e forumit të gruas së LDK-së në Podujevë Florie Besholli, tha për Llapi.info se nga shitja e ëmbëlsirave parat e grumbulluara do të shkojnë për fëmijët që janë me Autizëm.
“Ky muaj është muaj i Autizmit, jemi munduar me i mbështetë këta fëmijë që janë me këtë sëmundje. Në fillim të muajit i kemi vizitu Qendrën e Autizmit në Podujevë, dhe kemi shikuar se për çfarë kanë nevojë. Këta kanë nevojë për financa, shumë fëmijë në këtë qendër nuk i kanë kushtet. Ne si forum i gruas kemi bë thirrje edhe të gratë tjera që me i përgatit ëmbëlsira dhe nga shitja e tyre të grumbullohen para për këta fëmijë” ka thënë ajo.
Po ashtu Florie Besholli shtoi se fëmijët me autizëm do ta kenë mbështetjen maksimale.
“Herën e parë këtë qendër e kemi mbështet me lodra, e kësaj radhe jemi mundu me buxhet pasi që kanë nevojë për financa. Unë si kryetare do të mundohem maksimalisht me i mbështet këta fëmijë” përfundoi Besholli.
Këtij aktiviteti që filloi nga ora 12:00 përveç qytetarëve iu përgjigjën edhe zyrtarë komunal si dhe Policia e Podujevës./Llapi.info