Shitësit e pemëve dhe perimeve vazhdojnë të ekspozojnë mallin e tyre nëpër rrugët dhe trotuaret e Podujevës, ndërkohë që lokalet e dedikuara për këtë kategori tregtarësh qëndrojnë të mbyllura në tregun e ri.

Inspektorati ka rreth një vit që nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të parandaluar shitjen në rrugë, madje as të bulmetit. Për shefin e Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, drejtori i Inspektoratit, Hamdi Jaha, duhet t’ia fillojë nga vëllezërit e tij që t’i largojë nga trotuaret ku janë duke e ekspozuar mallin e tyre.

Njëri nga vëllezërit e Jahës është edhe fitues i një lokali në tregun e ri për pemë dhe perime, por ende vazhdon të ekspozojë mallin në trotuar, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Qeverisja komunale e Podujevës e udhëhequr nga LDK-ja ende vazhdon me manipulimet e qytetareve te Podujevës. Në muajin gusht 2014 është hapur oferta për rundin e dytë të lokaleve për tregun e ri në Podujeve, ku edhe këtu në këtë fushë drejtorët aktualë të komunës së Podujevës u vërsulen që së pari t’u ndajnë lokale vëllezërve të tyre”, ka thënë Rafet Llapashtica.

“Moskrijimi i kushteve nga qeverisja aktuale për shitësit ambulantë në Podujevë ka shkaktuar bllokimin e trotuareve në këtë pjesë të qytetit, ku nxënësit e dy shkollave fillore ‘Shaban Shala’ dhe ‘Naim Frashëri’ duhet të ecin mesit të rrugës për arsye se trotuaret janë të zëna nga shitësit”.

Këshilltari Llapashtica thotë se Drejtoria e Inspektoratit nuk ka marrë asnjë hap që fituesit e lokaleve të vendosen me mallin e tyre në lokalet që u janë ndarë në tregun e ri në Podujevë.

Vërejtje ka edhe këshilltari i AAK-së, Lutfi Rexhepi, i cili thotë se me ekspozimin e gjërave ushqimore nëpër rrugë, sidomos të bulmetit rrezikon në radhë të parë shëndetin e qytetarëve.

Këshilltari i AAK-së thotë se në këtë kontekst tregu i gjelbër edhe pse është ndërtuar dhe janë ndarë lokalet sipas kritereve qe veç ky Ekzekutiv di t’i bëjë, “sot e kësaj dite është jashtë funksionit të tij”/Koha