Qeveria e Kosovës, pasditen e sotme ka shkarkuar anëtarët e bordit të drejtorëve në Ndërmarrjen Publike “Ibër-Lepenc”.
Burimet e Indeksonline tregojnë se deri të shkarkimi i këtij bordi ka ardhur pas shkeljeve të njëpasnjëshme ligjore nga ana e tyre.
Ky bord po ashtu ishte me plotë anëtarë, familjarë të njerëzve me ndikim.
Madje së fundi vëllai i kryetarit të Podujevës, Sami Veliu, është emëruar u.d. i kryeshefit në këtë ndërmarrje.
Emërimi i Veliut në këtë pozitë erdhi pas dorëheqjes së kryeshefit, Januz Kabashi.
Ndërsa kryesues i bordit është Fatos Sahiti (vëllai i gruas së Lutfi Zharkut), kurse në mesin e anëtarëve të bordit bënë pjesë edhe motra e Vlora Dumoshit, Albiona Maloku.
Kërkesën për shkarkimin e këtij bordi e ka bërë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në krye me ministrin, Valdrin Lluka.
Ky i fundit tha sot se kërkesën për shkarkim e ka bërë pasi më 18 dhjetor 2017 ministria ka ndaluar shpërndarjen e bonuseve për shkak të gjendjes së rëndë të ndërmarrjeve publike dhe pas atij vendimi ndërmarrja “Ibër-Lepenc” ka shpërndarë bonuse, ku është shpërndarë dhe rroga 13.
Ai ka bërë të ditur se rroga mesatare në këtë ndërmarrje është rreth 900 euro.
“Është problem të lejohen gjëra të tilla. Një gjë e tillë më duket absurde që ndërmarrjet me humbje me marrë bonuse”, ka thënë Lluka.