Rreth një javë pasi Qeveria e Kosovës miratoi propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, për shkarkimin e katër anëtarëve të bordit të Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc”, ministri Lluka propozoi sot një emër për bordin e kësaj ndërmarrjeje publike.
Për dallim nga katër anëtarët e shkarkuar të bordit javën e kaluar, të cilët janë njerëz të afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ministri Valdrin Lluka propozoi sot në mbledhjen e qeverisë votimin e një njeriu të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për anëtar bordi të “Ibër-Lepencit”.
Bëhet fjalë për Ejup Qerimin, ish-drejtorin e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), i cili gjatë periudhës 2002-2005 kishte shërbyer si asamblist në Komunën e Gjilanit, nga radhët e PDK-së.
“Pas lirimit të 4 vendeve në Ibër-Lepec, propozoj që të votojmë një anëtar të paktën që të mundësohet kuorumi i mbledhjeve të kësaj ndërmarrjeje”, tha Lluka, teksa më pas e propozoi për anëtar të këtij bordi Ejup Qerimin, që sipas Llukës, është në listë të pritjes.
Por, kryeministri Ramush Haradinaj propozoi që kjo çështje të shtyhet për një javë.
Qeveria me propozim të ministrit Lluka shkarkoi katër anëtarë të Bordit të Ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” para një jave. Anëtarët e shkarkuar janë: Fatos Salihi, Albina Maloku, Imer Hamiti dhe Sami Veliu.
Momentalisht kryesues i bordit të “Ibër-Lepencit” është Fatos Sahiti, i cili është i afërt me LDK-në. Ai është vëllai i gruas së ish-ministrit të Infrastrukturës Lutfi Zharkut. Është në listën e anëtarëve që ministri Lluka dëshiron t’i shkarkojë.
Ndërkaq, anëtarja tjetër e padëshirueshme në bord është Albina Maloku. Ajo është motra e Vlora Dumoshit, raporton Insajderi.
I afërt me LDK-në aty njihet edhe Imer Hamiti, ish-kryesues i Bordit në “Termokos”. Edhe ai është në listën e “shkarkimit” të ministrit Lluka. Po ashtu, edhe Sami Veliu është i afërt me LDK-në. Ai është vëllai i Agim Veliut, nënkryetarit të Lidhjes Demokratike. /Insajderi.com