Pas asfaltimit të segmentit të parë në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, tashmë ka nisur largimi i asfaltit në segmentin e dytë të kësaj rruge, njofton Llapi.info.

Gjatë kësaj faze, do të largohet shtresa aktuale e asfaltit dhe do të fillojnë gërmimet për kyçje dhe do të bëhen instalime tërthore të ndryshme. Kjo gjë ka bërë që të ndërpritet edhe qarkullimi për automjete.

Përkundër që punimet në zgjerimin e kësaj rruge dhe ndërtimi i infrastrukturës përcjellëse, siç quhej projekti, ka nisur vitin e kaluar, të njëjtat do të vazhdojnë edhe përgjatë këtij viti, e që kostoja e saj kap shifrën e rreth 1.1 milion euro.

Mirëpo, kritika kanë dhënë këshilltarët opozitarë se është keqpërdorë paraja publike në rrugën kryesore të kësaj Komune. Sipas tyre, rreth 160 mijë euro janë çuar dëm në kohë të fushatës, ku në po të njëjtën rrugë është ri-shtresuar me asfalt, ndërsa tani i njëjti ka nisur të largohet.

Për këtë çështje edhe është debatuar në një seancë në Kuvendin Komunal të Podujevës. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Hamdi Jaha, Podujeva do ta marrë një pamje urbane pas përfundimit të punimeve.

Por, përkundër vështirësive që ballafaqohen qytetarët e sidomos bizneset përkitazi me këtë rrugë, Jaha pati thënë se janë lënë qasje tjera të rrugëve.

“E dimë është shqetësim për bizneset dhe qytetarët, por ne kemi mundësuar qasje tjera për ta. Shumë shpejtë do të përfundojë rruga, e cila do të jetë moderne me tri korsi. 2019-21, nuk do të ketë asnjë shtyllë dhe Podujeva do ta marrë pamjen e një pjese urbane”, pati thënë drejtori i Drejtorisë, Hamdi Jaha.

Në anën tjetër, mendim krejt ndryshe kanë këshilltarët opozitarë, pasi që siç thonë ata, është keqpërdorë paraja e taksapaguesve dhe po zvarriten punimet.

“Meqenëse bëhet fjalë për rrugën ‘Zahir Pajaziti’, në këtë informatë nuk ceket se po në këtë rrugë në vitin 2017 konkretisht, në shtator, në kohë fushate, në mënyrë të jashtëligjshme janë bërë rikonstruktimi dhe asfaltimi i kësaj rruge në vlerë prej 155.493.52 eurosh. E kemi marrë konfirmimin edhe nga kryesuesi i Kuvendit se kjo rrugë është ri asfaltuar kundërligjshëm. Vetë kryetari Veliu pati thënë se nuk do të prishet, ndërsa tani ka filluar të hiqet komplet asfalti. Këtu kemi të bëjmë me strukturën më të lartë të keqpërdorimit të taksapaguesve”, është shprehur shefi i VV-së në asamblenë komunale, Fitim Haziri.

Ndërsa, Arbër Blaku i PDK-së pati shtuar se bizneset janë të paralizuara nga këto punime, sipas tij, të stërzgjatura.

“I keni paralizu totalisht bizneset dhe këtu është mosplanifikim i duhur. Andaj, kam propozim që për shkak të dëmeve bizneset të lirohen nga taksa se ka ndikuar në punën e tyre”, ka potencuar Blaku, duke shtuar që për t’u prishur një rrugë duhen të rregullohen tjerët që zëvendësojnë atë”, është shprehur Blaku.

Riasfaltimi i kësaj rruge ishte bërë në kohë fushate pa ndonjë vendim në Kuvendin Komunal, derisa i pari i Podujevës Agim Veliu, pati thënë se kjo rrugë nuk do të prishet, por në fakt ajo është shkatërruar në të gjithë rrugën e qendrës në Podujevë, e që është edhe më e frektuentura./Llapi.info