Foto: Llapi.info

Varg shkeljesh ka bërë Komuna e Podujevës për katër vite, të cilat i ka evidentuar dhe publikuar Zyra Kombëtare e Auditimit. Mirëpo, disa prej tyre kanë vazhduar duke u përsëritur vit pas viti nga kjo komunë e udhëhequr nga Agim Veliu, raporton Llapi.info.

Punësimi i personave me kontrata mbi vepër, dobësi sistematike në prokurim, mosimplementim i duhur i rekomandimeve, mungesa e dëshmive për dhënien e subvencioneve, ishin vetëm disa nga gjetjet e Auditorit në këtë komunë për katër vjet.

Shkeljet në prokurim

Dobësi sistematike në prokurim ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në katër vitet e fundit në Komunën e Podujevës.

Në raportin e auditimit për vitin 2015 thuhet se kanë identifikuar se për kontratat e nënshkruara për mallra dhe shërbime nuk ishte përgatitur ndonjë plan për menaxhimin e kontratave.

“Mungesa e planit për menaxhimin e kontratës rritë rrezikun që kontratat e tilla të mos përmbushen sipas specifikave të kontraktuara”, thuhet në raport.

“Kryetari duhet të sigurojë se menaxheri i prokurimit duhet të insistoj që për çdo kontratë prokurimi të caktohen personat adekuat për menaxhimin e kontratave, dhe vetëm pas konfirmimit të menaxherit të kontratës, e njëjta të konsiderohet e përfunduar”, ka rekomanduar ZKA-ja.

Numri i madh i të punësuarve me kontrata mbi vepër nëpër komunat e ndryshme të Kosovës, po vazhdon të mbetet problem, e sidomos për Podujevën. Kjo e fundit për këtë çështje është akuzuar edhe viteve paraprake.

“Ne kemi identifikuar se 13 kontrata kanë kohëzgjatje më shumë se gjashtë muaj e ndër to kishte edhe kontrata të lidhura që nga viti 2010. Sipas nenit 12 pika 4 të Ligjit për shërbyesit civil, kontratat për shërbime të veçanta mund të lidhen për një periudhe më të shkurtër se 6 muaj”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, ripërtëritja e këtyre kontratave rritë rrezikun që shërbimet e tilla të mos jenë reale me nevojat e Komunës dhe që buxheti i planifikuar për këtë kategori të mos shpenzohet sipas qëllimit të caktuar.

“Për më tepër, mund të punësohet stafi jo kompetent dhe shërbimet e ofruara të mos jenë cilësore”, thuhet në raport.

Përkundër kësaj, edhe gjatë vitit 2016 kishte pasur dobësi sistematike në prokurim në Komunën e Podujevës.

ZKA ka gjetur në një rast për projektin ndërtimor “Asfaltimi i rrugës Podujevë-Livadicë dhe ndërtimi i urës mbi lumin Dumnica në fshatin Livadicë”, komuna kishte filluar procedurat e prokurimit pa bashkangjitur projektin ekzekutiv siç kërkohet. Po ashtu, siç thuhet në raport, ka raste kur urdhërblerja është bërë pas pranimit të faturës nga operatori ekonomik.
Sipas Auditorit, përcaktimi i komisioneve nga nivelet jo kompetente, mund të rezultojë me vlerësim dhe menaxhim jo të mirë të kontratave.

“Krijimi i urdhërblerjes pas faturimit/përfundimit të punëve mund të shkaktoj vonesa në pagesa. Mungesa e projektit ekzekutiv rrit rrezikun që gjatë realizimit të projekteve kapitale, cilësia e punëve të jetë e dobët dhe standardet e ndërtimit të mos respektohen”, thuhet më tej në rapot.

Rekomandimi Kryetari duhet të siguroj se vendimet për komisione të caktohen sipas ligjit të prokurimit publik, udhëzuesit operativ të prokurimit publik dhe rregullores për menaxhimin e pasurisë. Vendimet të bëhen nga ZKA e jo nga menaxheri i prokurimit. Urdhërblerja duhet të bëhet pas zgjedhjes së ofertuesit me të cilin është nënshkruar kontrata. Të siguroj që para fillimit të secilës procedurë të prokurimit për projekte kapitale është bërë hartimi detal i projektit.

Ndër të tjerash, Komuna e Podujevës gjatë 2016-ës kishte angazhuar 24 zyrtarë me kontratë për shërbime të veçanta, për të cilët gjatë vitit ka shpenzuar 68 mijë e 442 euro.

“Nga tri mostra të testuara është vërejtur se komuna ka angazhuar këta punëtor më gjatë se 6 muaj, që nuk është në pajtim me ligjin për shërbimin civil”, thuhet në raport.

Kurse, në vitin 2017, ZKA në Komunën e Podujevës ka gjetur se nuk kishte udhëheqës të prokurimit.

“Sipas Rregullores 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil, neni 4, për pozitat drejtuese në rast se nuk ka kandidatë nga nëpunësit ekzistues, atëherë zhvillohet procedura e hapur e rekrutimit. Përkundër kësaj, pozita e udhëheqësit të prokurimit, kishte mbetur e lirë që nga janari i vitit 2017, nga kur ishte pensionuar nëpunësi dhe ende nuk ishte shpallur konkurs”, thuhet në raport.

Auditori më tej thekson se kryetari i komunës, kishte autorizuar një zyrtar të prokurimit për nënshkrimin e kontratave deri në zgjedhjen e udhëheqësit të prokurimit.

“Përkundër kësaj në planin e personelit, plotësimit të kësaj pozite i ishte dhënë prioritet, mirëpo sipas tyre nuk po gjendet kandidat i cili përmbush kushtet e përcaktuara”, vijon më tej raporti.

“Kryetari, duhet të sigurojë se shpallja e konkursit për pozitën e menaxherit të prokurimit të bëhet sipas kërkesave ligjore, në mënyrë që kjo pozitë të mbulohet si pozitë e rregullt nga persona kompetentë”, i është rekomanduar Komunës së Podujevës.

Për vitin 2017, nga e gjetura e ZKA-së është bërë e ditur se Komuna e Podujevës ka paguar mall fiktiv.

Komuna e Podujevës pagoi inventar për të cilin nuk e kishte pranuar. Kështu të paktën ka gjetur Auditori Gjeneral gjatë inspektimit që i bëri Komunës së Podujevës në vitin e kaluar. Auditori nuk ka asnjë të dhënë nëse inventari i paguar ka shkuar ndonjëherë në Komunë. Kjo e gjetur e Zyrës së Auditorit Gjeneral është shënuar në Raportin vjetor për Komunën e Podujevës.

“Për projektin “Inventarizimi i objektit të ri komunal” në vlerë 74,092 euro, komuna kishte kryer pagesën e parë në vlerë 61,124 euro në dhjetor 2017. Ne kemi ekzaminuar në teren gjendjen e këtij inventari dhe konstatuam se menaxheri i kontratës kishte nënshkruar specifikat për pranim të inventarit edhe pse pjesa më e madhe e tij nuk gjendej në objektin e ri komunal. Sipas zyrtarëve, inventari nuk ishte pranuar në tërësi meqë në objektin e ri kishte pasur rrjedhje uji dhe inventari gjendej në mobilierinë e kontraktuar. Në lëndë nuk kishte ndonjë dokument që vërtetonin krijimin e kushteve të tilla, raportimin e gjendjes apo dokumente që vërtetonin se inventari gjendet tek operatori apo që pronësia i takon komunës. Vlera për inventarin që nuk ishte në objekt por për të cilin ishte kryer pagesa, ishte 52,384 euro”, thuhet në Raportin e Auditorit për pasqyrat financiare të Podujevës për vitin 2017.

Lidhur më këtë, Auditori ka shfaqur rrezikun që kryerja e pagesave në mungesë të pranimit faktik të mallrave apo punëve bie ndesh me rregullat financiare për shpenzimin e parave publike dhe përbën rrezik të vazhdueshëm që komuna të humb paratë e dhëna. “Gjithashtu, veprimet e tilla lënë hapësirë për dyshime se komuna përfshihet në marrëveshje verbale joligjore me Operatoret Ekonomik vetëm në mënyrë që pagesat të iu kryhen sa më parë operatorëve”.

Lidhur me të gjeturat për pasqyrat financiare të vitit 2017, Auditori i ka dhënë Podujevës “Opinion i pamodifikuar me theksim të çështjes”. Si theksim të çështjes, për faktin se informatat e shpalosura në Pasqyrat Financiare Vjetore në lidhje me pasuritë dhe Llogaritë e Arkëtueshme nuk janë të sakta.

Në tokë të komunës si në “bahçe të babës”

Toka e komunës në disa raste po përdorët “gratis” nga palët e ndryshme dhe për këtë Komuna nuk po merr masa.

“Në një rast, komuna ka ngarkuar me qira mujore personin edhe pse kontrata i ishte ndërprerë, megjithëse i njëjti vazhdon ta shfrytëzon pronën komunale pa kontratë. Obligimet e tij ndaj komunës kishin arritur vlerën 12,538 euro. Ndërsa në një rast tjetër, edhe pse qiramarrësi ishte i obliguar të paguaj vlerën prej 330 euro për qira mujore, ai nuk ka paguar asnjëherë duke u rritur borxhi i tij në 22,110 euro, si dhe të njëjtit nuk i është ndërprerë kontrata dhe vazhdon të shfrytëzoje të njëjtën pronë. Komuna aktualisht kishte shpërndarë njoftime tek qiramarrësit që nëse nuk paguajnë borxhin do të merren masa ndaj tyre”, thotë Auditori.

Sipas të gjeturave, nga pronat e dhëna me qira, nga 225 qiramarrës, 183 prej tyre nuk kanë kryer asnjë pagesë gjatë vitit 2017, përkundër obligimeve kontraktuale.

Edhe këtë vit, Komuna e Podujevës nuk kishte hezituar për angazhimin e personave me kontrata mbi vepër.

Auditori kishte bërë të ditur se komuna për realizimin e shërbimeve të domosdoshme, kishte angazhuar 23 persona përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta.

“Në 10 rastet e rishikuara kemi vërejtur se zyrtarët ishin angazhuar në kryerjen e punëve për periudhën më të gjatë se gjashtë muaj. Përveç tjerash dy prej tyre ishin duke kryer aktivitetet që nga viti 2010. Ky staf ishte angazhuar në pozita të ndryshme si konsulent, zyrtarë për bujqësi, përkthime, digjitalizim të rrugëve, roje, pastruese, etj”, thuhet në raport.

Në anën tjetër në vitin 2018, tek procedura e prokurimit “Renovimi i disa objekteve shkollore” në vlerë 112 mijë e 545 euro, kompania e shpallur fituese kishte bërë gabime aritmetikore në tender në vlerë 1700 eurosh.

“Nëse do të identifikohej gabimi nga komisioni për vlerësim të tenderëve, atëherë kontrata do të duhej t’i jepej OE të përgjegjshëm të renditur me numër dy (2) me çmim total 113,832€”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, edhe tek procedura e prokurimit “Rregullimi i shtratit të lumit Llap-vazhdim” është eliminuar kompania për mungesë të referencave për punë të ngjashme në tre vitet e fundit, edhe pse e njëjta kishte në dosje listën e projekteve së bashku me kontrata të nënshkruara.

“Komuna nuk kishte kërkuar informacione apo dokumente për sqarim të tenderit. Oferta e OE të eliminuar ishte 136,666€, ndërsa kontrata e nënshkruar me OE ishte 159,751€ apo 23,085€ më e madhe. Komisioni nuk ishte në dijeni se mund të kërkojnë informacione apo dokumente shtesë”, thotë e gjetura.

Sipas ZKA-së, mos respektimi i dispozitave ligjore të prokurimit publik mund të anuloj procedurat e prokurimit dhe projektet mund të mbesin pa përfunduar, gjithashtu mund t’i shkaktoj humbje financiarë komunës.

Rekomandimi: Kryetari duhet të siguroj që komisioni për vlerësimin e tenderëve bën ekzaminimin e plotë të ofertave, dhe aty ku vërehen gabime aritmetikore apo nevoja për sqarime tjera nga OE, t’i informoj ata duke bërë ndryshimet e nevojshme brenda kufijve të lejuar.

Komuna e Podujevës kishte vazhduar kontratë edhe pa procedura të prokurimit.

Kjo komunë, në nëntor të vitin 2017 kishte nënshkruar kontratën për furnizim me dru në vlerë 9575 euro, me kohëzgjatje prej 10 ditësh, me arsyetimin se do të shfrytëzonte kontratën që do të lidhej nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP).

Por sipas ZKA-së, përcjellë këtë arsyetim dhe vonesat në zhvillimin e procedurës për kontratën e re, pas skadimit të kontratës së lartcekur komuna kishte vazhduar të njëjtën kontratë për afat të pacaktuar, duke anashkaluar ligjin e prokurimit publik.

“Nga ky vazhdim kontrate, gjatë vitit 2018, komuna kishte bërë blerje në vlerë prej 85,217€. Sipas komunës, nevoja emergjente për ngrohje në shkollat e Podujevës, ka bërë që të vazhdohet kontrata në këtë mënyrë”, thuhet në raport.

Komuna e Podujevës ka pasur telashe të ripërsëritura në katër vite me radhë sa i përket zbatimeve të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

Auditori për vitin 2015 në Komunën e Podujevës ka gjetur se vetëm një pjesë e rekomandimeve të vitit të kaluar janë implementuar sepse Komuna nuk ka ndjekur ndonjë proces formal për të menaxhuar dhe monitoruar mënyrën e implementimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm.

“Dobësitë e vazhdueshme të kontrolleve të menaxhmentit dhe kontrolleve tjera në sistemet financiare kyçe, kanë rezultuar në: pagesat nga kodet jo adekuate ekonomike; mungesa e komitetit të auditimit; dhe jo efikasiteti i vazhdueshëm organizativ tek dhënia në shfrytëzim të pronës komunale”, thuhet në raport.

Ndërkaq në këtë vit, ZKA komunës në fjalë i ka dhënë 15 rekomandime në fusha të ndryshme.

Edhe në vitin 2016, Auditori ka vlerësuar se menaxhmenti i komunës nuk kishte ndërmarr veprime të nevojshme në rishikimin dhe monitorimin e një procesi konfirmues për shkallën e zbatimit të rekomandimeve dhe identifikimin e pengesave për veprim në adresimin e plotë të tyre.

“Si rezultat i kësaj, 40% të rekomandimeve nuk ishin trajtuar fare nga ana e menaxhmentit. Përsëritja e disave prej rekomandimeve të vitit të kaluar, tregon për dobësi të vazhdueshme të kontrolleve të brendshme në sisteme kryesore financiare që kanë rezultuar në: klasifikime joadekuate të shpenzimeve, dobësi në menaxhimin e të hyrave nga qiratë komunale, regjistër jo të saktë të pasurive, dhe dobësi në trajtimin e llogarive të arkëtueshme”, thuhet në raport.

ZKA atë vit Komunës së Podujevës i ka dhënë 17 rekomandime. Nivel të ulët të zbatimit të rekomandimeve nga viti paraprak dhe viti i mëhershëm, është konstatuar nga ZKA-ja edhe në vitin 2017.

Auditori kishte gjetur se komuna, ka bërë progres të kufizuar në adresimin e rekomandimeve pasi që pak nga rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar plotësisht, por që shumica nuk janë adresuar, disa pjesërisht ose nuk janë zbatuar fare.

“Për më tepër Planin e Veprimit për rekomandimet dhe progresin e tyre, nuk ka arritur ta diskutojë në Asamblenë Komunale”, thotë e gjetura.
Rekomandimet e pa zbatuara si ai për nivelin e ulët të ekzekutimit të buxhetit, regjistrat e pasurive jo të plotë, mungesa e regjistrit të rreziqeve, performanca jo e mirë e NjAB-së, mos kryerja e obligimeve nga shfrytëzuesit e pronave të komunës (qiramarrësit) dhe taksa e biznesit, dobësitë në raportimin e obligimeve, marrëveshjet për shërbime të veçanta, mos verifikimi i 1/3 të pronave komunale, janë të gjetura të përsëritura në vite.

Rrjedhimisht Komuna e Podujevës këtë vit ka pranuar 22 rekomandime nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Ndërkaq, në raportin e vitit 2018 për Komunën e Podujevës thuhet se deri në fund të auditimit për vitin 2018, shtatë (7) rekomandime nga viti 2017 janë zbatuar; katër (4) në proces, tetë (8) nuk janë adresuar ende, derisa tri (3) rekomandime janë të mbyllura të pazbatuara.

Si rrjedhojë, ZKA-ja këtë vit i ka dhënë komunës 20 rekomandime. Komuna nuk dëshmon dhënien e subvencioneve.

Njëra nga shkeljet më të evidentuara nga ana e Auditorit në Komunën e Podujevës, në katër vitet e fundit, kishte të bënte më dhënien e subvencioneve.

Në vitin 2015, ZKA kishte konstatuar mungesë të dëshmive me rastin e përzgjedhjes së përfituesve.

Komuna kishte subvencionuar ndërtimin e serrave individuale me vlerë 146 mijë e 554 euro, ku kishin aplikuar 120 fermerë.

Ndërkaq, sipas raportit të komisionit, 90 për qind prej tyre i kishin plotësuar kriteret e vendosura me konkurs, ndërsa kanë përfituar 30 fermerë.

“Neve nuk na janë ofruar dëshmi se si janë përzgjedhë këta 30 përfitues në mesin e 120 aplikuesve. Komuna kishte subvencionuar bletarët me shoqëri bletësh (koshere) 99,500€, ku kishin aplikuar gjithsejtë 330 bletarë. Sipas raportit të komisionit 90% e tyre i kishin plotësuar kriteret e vendosura me konkurs, ndërsa kanë përfituar 100 bletarë. Neve nuk na janë ofruar dëshmi se si janë përzgjedhë këta 100 përfitues në mesin e 330 aplikuesve”, thotë e gjetura.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA), mungesa e transparencës në procesin e ndarjes së subvencioneve shpie në konkludimin që përfituesit e subvencioneve të mos jenë përfituesit më meritor.

“Kjo rrit rrezikun që subvencionet e dhëna të mos arrijnë objektivat e synuara”, vijon më tej auditori.

Në anën tjetër, në vitin 2016 në këtë komunë kishte dobësi në menaxhimin e subvencioneve.

“Rregullorja aktuale e brendshme për subvencione nuk përmban kërkesa specifike për mënyrën e monitorimit të subvencioneve të dhëna”, thuhet në raport.

Për vitin 2017, në raport thuhet se te ftesa publike për përkrahjen e fermerëve me sistemin e ujitjes pikë-pikë, komuna kishte vendosur kriter që fermerët të cilët ishin përfitues të mëhershëm të subvencionit të mos përfitojnë edhe subvencionin e dytë.

Ndërkohë që në rastin e testuar i njëjti person paraprakisht kishte fituar një projekte për serë si dhe ishte përfitues edhe i projektit për sistemin e ujitjes.

“Mos respektimi i kritereve të vendosura nga vet komuna, mund të shpie në keq përdorim të qëllimit të subvencioneve, dhe njëkohësisht dëmton përfituesit e rinj potencial”, vlerëson Auditori.

Komuna e Podujevës ka anashkaluar kriteret për dhënien e subvencioneve për organizimin e disa aktiviteteve në këtë komunë gjatë 2018-ës.

Sipas ZKA-së, për subvencionimin e Organizatave Joqeveritare për organizimin e aktiviteteve kulturore, rinore, sportive, në thirrjen e datës 30 mars 2018, komuna nuk kishte përpiluar listën e aplikuesve me pikët e përfituara nga secili, në bazë të cilave edhe do të përfitonin subvencionin. Sipas raportit, komuna kishte përpiluar vetëm listën me emrat e përfituesve.

“Për më tepër, një aplikues kërkesa e të cilit figuronte në librin e protokollit, nuk figuronte fare në lisën e aplikuesve. Komuna arsyetohet me faktin se kjo rregullore ka filluar se zbatuari në qershorin e vitit të kaluar dhe ende nuk janë familjarizuar mirë me kërkesat që dalin nga ajo. Derisa sipas tyre, aplikuesi që nuk është në listë nuk kishte qenë rezident”, thuhet në të gjeturën e Auditorit.

ZKA vlerëson se mos respektimi i rregulloreve të vendosura nga ministria, mund të shpie në keq përdorim të qëllimit të subvencioneve, dhe njëkohësisht dëmton direkt përfituesit potencial.

Gjatë këtij viti, Komuna kishte punëson edhe persona pa përvojë profesionale.

Nga gjashtë raste të testuara lidhur me rekrutimin e stafit, në dy prej tyre ZKA-ja ka identifikuar se njëri kandidat për pozitën mjek i përgjithshëm në QKMF nuk kishte ofruar dëshmi rreth përvojës së punës, ndërkaq, tjetri kandidat për pozitën zyrtar i të hyrave financiare nuk kishte përvojën e kërkuar sipas kriterit të konkursit.

“Sipas konkursit ‘Mjek i përgjithshëm në QKMF’ është kërkuar që kandidatët të kenë një (1) vit përvojë pune. Kandidati i përzgjedhur për këtë pozitë nuk kishte ofruar dëshmi rreth përvojës së punës. Sipas kryetarit të komisionit përzgjedhës të gjithë kandidatët që kanë aplikuar janë përfshirë në listën e ngushtë, ndërsa kandidati i përzgjedhur ka arritur rezultatin më të mirë gjatë testimit me shkrim dhe intervistës”, thuhet në raportin e Auditorit.

Kurse, sipas konkursit “Zyrtar i të hyrave financiare” është kërkuar që kandidatët të kenë 2 vite përvojë pune profesionale.

“Kandidati i përzgjedhur për këtë pozitë sipas aplikacionit nuk kishte përvojën e kërkuar. Sipas kryetarit të komisionit përzgjedhës kandidati i përzgjedhur ka qenë duke punuar me marrëveshje për shërbime të veçanta, dhe për këtë arsye është përfshi në listën e ngushtë dhe më pas ka arritur rezultatin më të mirë”, thuhet më tej në raport.

Auditori ka theksuar se mos respektimi i kritereve sipas konkursit rrit rrezikun për diskriminim të kandidateve të cilët mund të jenë më kompetent për atë pozitë.

“Kryetari të sigurojë se janë dizajnuar kontrollet e duhura në mënyrë që rekrutimet të behën përmes një procesi transparent, konkurrues dhe në pajtim me kërkesat e konkursit”, rekomandon ZKA-ja në raportin për vitin 2018.

Komunës së Podujevës i kishte dalë problem edhe me asamblistët, pasi të njëjtit nuk i kishin kthyer laptopët pas përfundimit të mandatit.

Sipas ZKA-së, këshilltarët e Kuvendit Komunal për legjislaturën 2014-2017 kishin pranuar laptopë me qëllim të ushtrimit të funksionit të tyre.

Ndërkaq, sipas vendimit të Kuvendit, datë 15.01.2014, të njëjtët pas kalimit të mandatit të tyre duhet t’i dorëzohen komunës.

“Përkundër kësaj, gjithsej 24 këshilltarë komunal nuk i kishin kthyer laptopët, edhe pse e kishin përfunduar mandatin dhe nuk ushtronin më këtë detyrë as në legjislaturën aktuale, kurse vlera e mbetur e këtyre laptopëve, pas zhvlerësimit të rregullt ishte 4,444 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së për vitin 2017.

Kurse një vit më vonë, Auditori ka rekomanduar se duhet të merren veprime ligjore për kthimin e laptopëve në komunë dhe rastet e tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

“Laptopët janë kthyer, mirëpo ka mangësi me menaxhimin e pasurinë”, thuhet në raport.

Se që Komuna e Podujevës vazhdon t’i bëjë të nëjtja gabime e dëshmon edhe projekti “Vrella” që i bënë me ujë 7 fshatra: Metehi, Zakut, Dobërdol, Kërpimeh, Pakashticë e Epërme dhe Pakashticë e Poshtme dhe vetë fshati Revuçë (ku gjendet burimi). Sipas ZKA-së, ky projekt është zvarritur vit pas viti.

“Qytetarët kishin participuar me vlerë prej 70,120€, e cila shumë është duke u bartur vit pas viti, për shkak të mosrealizimit të projektit. Sipas komunës, një prej fshatrave ka krijuar pengesat për shfrytëzimin e burimit të ujit, derisa pagesat për punët e kryera në disa fshatra arrijnë vlerën e 173,000 eurove. Kjo çështje është ngritur edhe vitin e kaluar, ngase është projekt me ndikim social, vonesa e të cilit prek mirëqenien e qytetarëve të cilët kanë participuar drejtpërdrejt në zbatimin e projektit”, thuhet në raportin e Auditorit.

Ndërkohë, për rekomandimet dhe gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm është debatuar nëpër seanca të Kuvendit Komunal. Në seancën e mbajtur në Kuvendin Komunal ku pikë e rendit të ditës ka qenë edhe diskutimi për raportin e Auditorit, këshilltarët opozitarë kanë thënë se gabimet e qeverisjes në Podujevë janë duke u ripërsëritur për çdo vit.

Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, pati shtuar se opinioni i Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Podujevës për vitin 2018 është i pakualifikuar me theksim të çështjes. Sipas tij, është opinion pozitiv, përkundër shkeljeve të shumta të evidentuara./Llapi.info