Zgjedhjet lokale të 22 tetorit për kuvendet komunale sollën deri diku një nivelizim të partive për sa i përket numrit të ulëseve në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013.
Megjithëse vazhdon të qëndrojë partia e parë me më së shumti asambleistë në nivel vendi, Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar rënie në vota për asamble për katër vite.
Në 38 komuna të Republikës së Kosovës, PDK arriti të sigurojë gjithsej 215 ulëse, megjithëse në zgjedhjet e vitit 2013 kishte pasur 259 sosh.
Me gjithë suksesin e shënuar në garën për Kryetarë të Komunave, Lidhja Demokratike e Kosovës po ashtu shënoi rënie në numër të ulëseve të fituara nëpër asamble komunale duke siguruar 212 asambleistë në këto zgjedhje në krahasim me 224 sa i kishte pasur në zgjedhjet paraprake.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kishte kandiduar në koalicion parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Dardanisë, këtë vit si e vetme shënoi ulje të lehtë në numrin e ulëseve në asambletë komunale.
AAK në zgjedhjet e 22 tetorit siguroi 127 vende në asamble, nga 132 sa kishte pasur në koalicionin AAK-LDD.
Një rritje pati Lëvizja Vetëvendosje duke siguruar 127 asambleistë në nivel vendi në krahasim me 69 sosh sa i kishte pasur në vitin 2013.
Aleanca Kosova e Re, në anën tjetër ra në 36 asambleistë nga 41 sa i kishte më parë.
E një numër të konsiderueshëm të ulëseve në asambletë komunale të Kosovës e zuri partia që nuk ekzistonte në vitin 2013, Nisma për Kosovën.
E themeluar në vitin 2014, Nisma për Kosovën arriti që të sigurojë 50 ulëse të asambleistëve në nivel vendi.
Podujevë: PDK bie, VV e tejkalon
PDK dhe VV kanë bërë po thuajse një shkëmbim votash në Podujevë duke bërë që struktura e asamblesë së Podujevës të ndërrojë në favor të VV-së.
PDK-ja që në zgjedhjet e vitit 2013 kishte pasur 12 ulëse në asamble, në këto zgjedhje ra në 7, ndërkaq VV që kishte pasur vetëm 3 ulëse më 2013, këtë vit mori 9 ulëse në asamble.
LDK arriti që ta ruajë primatin me numrin e njëjtë të vendeve sikurse në zgjedhjet paraprake, 15 ulëse.
AAK mori 2 ulëse nga 3 sa i kishte pasur, ndërkaq AKR u largua tërësisht nga kuvendi komunal megjithëse kishte pasur një ulëse në zgjedhjet e vitit 2013.
Prishtinë: VV kalon LDK-në
Një ‘rrokadë’ votash ka ndodhur edhe për asamblenë e Prishtinës, kësaj radhe në dëm të LDK-së.
VV arriti që të rrisë numrin e ulëseve në kryeqytet në 17 nga 10 sa i kishte në vitin 2013.
Në anën tjetër, LDK u zvogëlua për 2 ulëse duke marrë 15 në zgjedhjet e 22 tetorit.
Rënie shënoi edhe PDK-ja duke siguruar 6 asambleistë megjithëse kishte marrë 8 sosh në zgjedhjet paraprake.
AAK ruajti 4 ulëset që kishte edhe më parë ndërkaq AKR u rrit në 5 ulëse nga 4 sa kishte pasur.
Këtë vit, edhe partia e re Alternativa arriti që të sigurojë një ulëse në kuvendin komunal të Prishtinës.
Prizren: Rriten PDK dhe VV, bie LDK-ja
Prizreni me votat për asamblenë komunale më 22 tetor i ka reduktuar ulëset LDK-së, e cila siguroi 6 asambleistë, nga 9 sa i kishte në zgjedhjet e kaluara.
Në anën tjetër, PDK arriti që të marrë 13 ulëse nga 10 sa i kishte, ngjashëm VV u rrit duke marrë 7 ulëse nga 3 sa i kishte në asamblenë e Prizrenit.
AAK shënoi rritje të lehtë me 4 asambleistë nga 3 sa i kishte, ndërkaq AKR u zhduk edhe nga asambleja e Prizrenit ku kishte pasur 1 asambleist në zgjedhjet e vitit 2013.
Skenderaj: PDK-së i reduktohen ulëset
Skenderaj, i njohur si bastion tradicional i PDK-së, megjithatë u kursye në një masë në votat për asamble ndaj kësaj partie, duke e reduktuar në 20 ulëse, nga 26 sa i kishte në zgjedhjet e kaluara.
Në anën tjetër, VV arriti që të marrë 2 ulëse megjithëse kishte pasur vetëm 1 në zgjedhjet e kaluara.
Ngjashëm rritje shënoi edhe AKR që siguroi 3 asambleistë nga 1 sa i kishte më parë.
AAK nuk lëvizi me ulëse në Skenderaj duke marrë 1, ndërkaq në këtë asamble bëri vend partia e re Nisma për Kosovën me 1 ulëse.
Shtime: Rritet VV, bien PDK dhe LDK
Asambleja e Shtimes nuk bëri ndërrim të madh në strukturën partiake megjithëse PDK në këto zgjedhje mori 8 vende ,megjithëse kishte pasur 10 në zgjedhjet e vitit 2013.
Ulje shënoi edhe LDK duke siguruar 4 asambleistë nga 5 sa i kishte më parë.
Në anën tjetër, VV siguroi 3 ulëse në asamblenë e Shtimes nga 2 sa i kishte më 2013.
AAK ruajti numrin e 2 vendeve që kishte pasur, ndërsa asamblesë iu bashkuan AKR me 1 ulëse dhe Nisma për Kosovën me 2 ulëse.
Suharekë: VV dhe Nisma me rritje të ndjeshme
Kuvendi i Suharekës për herë të parë do të ketë 3 asambleistë nga partia rishtazi e formuar, Nisma për Kosovën si dhe 3 asambleistë nga VV që kishte pasur 2 në zgjedhjet e vitit 2013.
Partitë më të mëdha në këtë asamble siguruan më pak ulëse në këtë asamble.
LDK mori 9 ulëse nga 10 sa i kishte pasur, njësoj sikur AAK-ja.
Ndërkaq PDK ra në 6 ulëse nga 8 sa i kishte pasur.
Ferizaj: Rritet VV, zvogëlohen PDK dhe LDK
Në zgjedhjet e 22 tetorit në Ferizaj, PDK siguroi 13 asambleistë nga 14 sa i kishte pasur në vitin 2013, ndërkaq LDK mori 12 ulëse nga 13 sa i kishte pasur.
Rezultate pozitive pati për VV që mori 7 ulëse megjithëse kishte pasur 4 në zgjedhjet e vitit 2013.
AAK ruajti vendet e saj duke siguruar 5 ulëse, ngjashëm si AKR që ruajti 2 ulëset e veta.
Edhe në këtë komunë, Nisma për Kosovën arriti ti sigurojë 2 asambleistë.
Viti: Rritet LDK dhe VV, bie AAK
Asambleja e Vitisë në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 22 tetorit do të ketë 10 asambleistë të LDK-së nga 9 sa kishte më parë dhe 6 ulëse të VV-së nga 5 sa i kishte në zgjedhjet e 22 tetorit.
Në anën tjetër, AAK shënoi rënie në numrin e asambleistëve duke siguruar 3 nga 5 sa i kishte më parë.
PDK arriti të ruajë vendet që i kishte pasur, duke siguruar 5 ulëse edhe në këto zgjedhje, ngjashëm si AKR që ruajti një ulëse që kishte pasur.
Vushtrri: Rritje e VV
22 tetori bëri dallimin për strukturën partiake të asamblesë në Vushtrri duke i dhënë VV-së 7 ulëse nga 3 sa i kishte pasur në zgjedhjet e vitit 2013.
Rezultat pozitiv nuk patën edhe partitë më të mëdha në këtë asamble si PDK që ra në 11 asambleistë nga 12 sa i kishte pasur, LDK ra në 6 nga 7 sa i kishte, si dhe AAK ra në 3 nga 6 sa i kishte në zgjedhjet e vitit 2013.
AKR megjithatë shënoi rritje duke siguruar 3 ulëse në asamblenë e Vushtrrisë nga 2 sa i kishte pasur.
Malishevë: Triumf i Nismës për Kosovën
Partia e themeluar në vitin 2014, që nuk kishte ekzistuar në zgjedhjet lokale paraprake bëri dallimin në asamblenë e Malishevës.
Nisma për Kosovën arriti të marrë 11 ulës në asamblenë komunale, aq sa i kishte pasur Iniciativa Qytetare për Malishevën në zgjedhjet e vitit 2013.
PDK shënoi rritje në numrin e ulëseve duke siguruar 9 ulëse në Malishevë nga 8 sa i kishte pasur, ngjashëm edhe VV shënoi rritje në 4 ulëse nga 2 sa i kishte pasur.
LDK në anën tjetër ra për nga numri i asambleistëve në këtë komunë, duke siguruar 6 ulëse nga 8 sa i kishte pasur.
AAK ruajti një ulëse që e kishte pasur, ndërsa AKR nuk do të përfaqësohet më në këtë asamble megjithëse kishte pasur një ulëse në zgjedhjet e vitit 2013.
Junik: Rritet AAK, bie PDK
Struktura e asamblesë së Junikut nuk pësoi ndryshime të mëdha në zgjedhjet e 22 tetorit.
LDK ruajti votën e saj në asamble duke siguruar 5 ulëse në Junik, njëjtë si VV me 2 ulëset e saj.
Në anën tjetër, AAK shënoi rritje në 7 ulëse nga 6 sa i kishte pasur për dallim nga PDK që ra në 1 ulëse nga 2 sa i kishte pasur.
Hani i Elezit: Bie PDK, LDK shënon rritje
Asambleja relativisht e vogël e Hanit të Elezit megjithatë bëri ndryshim në strukturë partiake në zgjedhjet e 22 tetorit.
PDK ra ndjeshëm në këtë komunë duke siguruar vetëm 3 asambleistë nga 5 sa i kishte pasur.
Në anën tjetër, LDK shënoi rritje me 4 asambleistë nga 3 sa i kishte pasur.
Ulëset u ruajtën nga AAK që mori 4 në të dy palë zgjedhjet, njëjtë si VV që mori 3.
Për herë të parë, pjesë e asamblesë së Hanit të Elezit u bë edhe Nisma për Kosovën me 1 ulëse.
Deçan: Vazhdon ngritja e AAK-së, LDK bie
AAK ka shënuar ngritje të numrit të vendeve në Kuvend Komunal për Komunën e Deçanit duke marrë pesë vende më shumë përkatësisht 17 ulëse në asamble komunale, ndërkaq në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kishte marrë 13.
LDK shënoi rënie thuajse duke e përgjysmuar numrin e vendeve në Kuvend Komunal duke marrë 5 vende në asamble komunale në krahasim me 9 sosh në zgjedhjet e vitit 2013.
PDK ruajti numrin e asambleistëve duke marrë 3 vende në dy palë zgjedhjet.
VV po ashtu ka 2 asambleistë në Kuvendin Komunal të Deçanit, aq sa kishte edhe në vitin 2013.
Gjakovë: AKR pëson humbje
AAK në Gjakovë nuk ka lëvizur me numër të asambleistëve duke siguruar 9 vende, megjithëse në vitin 2013 kishte qenë në koalicion parazgjedhor me LDD-në.
Në anën tjetër AKR ka pësuar një humbje të thellë të votave në asamblenë e Gjakovës, duke marrë vetëm një ulëse në asamble megjithëse kishte 9 asambleistë në vitin 2013.
PDK ka një vend më pak në asamble duke marrë 5 vende nga 5 sa kishte në zgjedhjet e vitit 2013.
Rritje ka shënuar VV duke marrë 5 vende në asamble nga 2 sa kishte në zgjedhjet e 22 tetorit.
Në anën tjetër, partia Alternativa që në zgjedhjet e vitit 2013 nuk ka ekzistuar, më 22 tetor arriti të fitojë 6 ulëse në asamble.
Ngjashëm, Nisma për Kosovën si parti e re ka marrë 2 ulëse në asamblenë e Gjakovës.
LDK ka ruajtur vendet e fituara në asamble në dy palë zgjedhjet ka marrë 4 vende sikurse Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës që mori 3 vende në asamble në këto zgjedhje, aq sa kishte në zgjedhjet e vitit 2013.
Ndërkaq, nga Kuvendi Komunal i Gjakovës është zhdukur Partia e Drejtësisë në këto zgjedhje, përderisa kishte 1 ulëse në zgjedhjet e vitit 2013.
Drenas: PDK me 6 asambleistë më pak
I njohur si bastion i Partisë Demokratike të Kosovës, Drenasi megjithatë ka ulur numrin e votave të kësaj partie për asamble komunale duke bërë që sivjet PDK të ketë vetëm 14 ulëse nga 20 sa i kishte në zgjedhjet e vitit 2013.
Rënie të madhe ka pasur edhe Iniciativa qytetare për Drenasin duke mbetur me 1 ulëse në asamble, megjithëse kishte 5 në zgjedhjet e kaluara.
Një faktor në kuvendin komunal të Drenasit është bërë edhe partia rishtazi e formuar, Nisma për Kosovën që siguroi 6 asambleistë, ngjashëm me Iniciativën Qytetare Vizioni për Drenasin që mori 3 vende në asamble.
VV ka dyfishuar vendet nga 1 më 2013 në 2 ulëse në asamble nga zgjedhjet e 22 tetorit, njëjtë si AAK.
AKR ka ruajtur 1 ulëse që kishte marrë edhe në zgjedhjet e vitit 2013.
Gjilan: LDK nuk lëviz, Vetëvendosje rritet
Në Gjilan, zgjedhjet e 22 tetorit e gjetën Lidhjen Demokratike në vendin e njëjtë sa i përket ulëseve në asamble, duke marrë 11 aq sa kishte edhe në zgjedhjet e vitit 2013.
Në anën tjetër, VV shënoi një rritje të konsiderueshme duke siguruar 7 ulëse nga 4 sa i kishte në zgjedhjet paraprake.
Partia Demokratike ra në vota në këto zgjedhje duke marrë 6 ulëse nga 8 sa i kishte më 2013.
AAK nuk lëvizi me vende duke marrë nga 4 ulëse në asamble në të dy palë zgjedhjet, ngjashëm si AKR, që mori 2 ulëse më 22 tetor të këtij viti sikurse në vitin 2013.
Nisma për Kosovën, si parti e re siguroi 2 ulëse në asamble komunale.
Dragash: CDU zhduket, partitë e tjera ruajnë vendet
Ulëset në asamblenë komunale të Dragashit nuk do të ndryshojnë shumë në format pas zgjedhjeve të 22 tetorit përveç se partia Centar Demokratske Unije që kishte 4 ulëse në zgjedhjet e vitit 2013 sivjet nuk figuron në listë.
PDK ka rritur numrin e asambleistëve duke marrë 9 ulëse në këto zgjedhje, nga 8 sa kishte në zgjedhjet e 22 tetorit.
Lëvizje nuk ka pasur në ulëset e Lidhjes Demokratike të Kosovës që sivjet mori 7, e as për Koalicionin Vakat që mori 3 ulëse, aq sa kishte në vitin 2013 si dhe AKR me 1 ulëse.
VV arriti që të futet në asamble me 1 ulëse, përderisa nuk e kishte asnjë në vitin 2013, ngjashëm me Jedinstvena Goranska Partija që mori 2 ulëse.
Istog: Bie LDK, rritet Vetëvendosje
LDK vazhdon të mbajë primatin për nga numri i asambleistëve në Istog duke marrë 11 në zgjedhjet e 22 tetorit, megjithëse kishte marrë 12 sosh në zgjedhjet e vitit 2013.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje nga 1 ulëse sa kishte në vitin 2013, në 2 ulëse në zgjedhjet e 22 tetorit.
Ndryshime nuk pati në numrin e asambleistëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e cila mori 6 ulëse, sikurse PDK që mori 4 ulëse.
Kaçanik: Ngritje e VV-së, PDK nuk lëviz
Zgjedhjet e 22 tetorit i sollën Lëvizjes Vetëvendosje 2 ulëse më shumë në asamblenë komunale të Kaçanikut, nga 3 sa kishte në vitin 2013, mori 5 sivjet.
Në anën tjetër PDK ruan primatin me 11 ulëse në asamble sa kishte pasur edhe më 2013, ndërsa ngjashëm LDK ruajti 4 vendet që kishte pasur edhe në zgjedhjet e kaluara.
Një ulëse më pak, sivjet e ka Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që siguroi 4 asambleistë nga 5 sa i kishte më parë.
Klinë: PDK Vazhdon të jetë e para, LDK i afrohet
Qytetarët e Klinës nuk kanë ndërruar shumë mendje sa i përket partive që i përfaqësojnë në asamble komunale.
PDK mban numrin më të madh të ulëseve në asamblenë e Klinës duke siguruar 10 ulëse nga 9 sa kishte në zgjedhjet e vitit 2013.
Ngjashëm, për një ulëse është rritur edhe LDK që në këto zgjedhje siguroi 6 asambleistë, sikurse VV që mori 2 ulëse nga 1 sa kishte në zgjedhjet e kaluara.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk lëvizi me numrat e asambleistëve duke siguruar 5 ulëse, ndërkaq AKR, mori 1 ulëse njëjtë si në zgjedhjet e kaluara.
Nisma për Kosovën si parti e re, siguroi një ulëse në asamble.
Fushë Kosovë: LDK e njëjta, VV rritet
Zgjedhjet e 22 tetorit në Fushë Kosovë sollën rezultate të njëjta për Lidhjen Demokratike të Kosovës në asamble komunale, saktësisht 12 ulëse.
Në anën tjetër, VV shënoi rritje në këtë komunë duke marrë 4 ulëse nga 3 sa i pati në vitin 2013.
Qytetarët e Fushë Kosovës megjithatë ndërruar mendim sa i përket Partisë Demokratike të Kosovës duke e lënë me 4 ulëse në asamble nga 6 sa i pati në zgjedhjet e kaluara.
AAK dhe AKR, të dyja morën nga 1 ulëse në asamblenë e Fushë Kosovës duke mos ndryshuar nga zgjedhjet e vitit 2013.
Kamenicë: VV shumëfishon ulëset
VV ka shënuar një ngritje të konsiderueshme në votat për asamble komunale në Kamenicë, duke siguruar 6 ulëse nga 1 sa i kishte në zgjedhjet e vitit 2013.
Në anën tjetër, LDK shënoi ulje për një votë duke siguruar 7 ulëse në asamble nga 8 sa i kishte më parë.
Ngjashëm PDK-së i zvogëluan ulëset në 6 nga 7 sa i kishte më 2013 sikurse AKR që ra në 3 ulëse nga 4 sa i ka pasur.
AAK qëndroi në numrat e njëjtë, 4 ulëse në asamblenë e Kamenicës.
Mitrovicë: PDK me më pak ulëse, AKR e VV rriten
PDK ka rënë për tre ulëse në asamblenë e Mitrovicës, duke siguruar 11 asambleistë nga 14 sa i kishte në zgjedhjet e kaluara lokale, ngjashëm me LDK që në këto zgjedhje siguroi 7 ulëse nga 8 sa i kishte në zgjedhjet e kaluara.
AKR në anën tjetër shënoi rritje në 7 ulëse nga 5 sa i kishte në zgjedhjet e vitit 2013.
VV po ashtu u rrit në numër të asambleistëve, duke siguruar 6 ulëse nga 3 sa i kishte më parë.
AAK nuk pati ndryshim në ulëse duke siguruar dy asambleistë aq sa pati edhe në zgjedhjet e vitit 2013.
Për herë të parë në këtë kuvend komunal po hyn edhe Nisma për Kosovën me 1 ulëse.
Lipjan: Rënie e PDK-së, Ngritje e LDK-së
Lipjani me votat për asamble komunale ka dënuar dhe shpërblyer partitë me ulëse.
PDK në Lipjan ka rënë nga vendi i parë duke siguruar vetëm 6 ulëse në asamble nga 10 sa i kishte në zgjedhjet e vitit 2013.
Në anën tjetër, LDK u rrit në 12 asamblesitë nga 9 sa i kishte herën e kaluar.
AAK shënoi rënie në 3 ulëse nga 5 sa i kishte më 2013 ndërkaq VV u ngrit në 3 ulëse nga 2 sa i kishte më parë.
AKR megjithëse nuk kishte garuar për këtë komunë në zgjedhjet komunale të vitit 2013, në këto zgjedhje kjo parti arriti të sigurojë 3 ulëse në asamble.
Obiliq: AAK e para, PDK zvogëlohet
Në zgjedhjet e 22 tetorit, AAK arriti që të rrisë numrin e asambleistëve në Obiliq në 6 nga 4 sa i kishte në zgjedhjet e vitit 2013.
LDK qëndroi e pa lëvizur në asamble komunale duke marrë 5 ulëse aq sa kishte edhe më parë.
PDK pësoi rënie në vota duke siguruar vetëm 3 asamblistë nga 4 sa i kishte në zgjedhjet e kaluara.
Ndërsa VV rriti numrin e vendeve dyfish duke marrë 2 ulëse nga 1 sa kishte më parë në asamblenë e Obiliqit.
Në kuvendin e Obiliqit për herë të parë po futet edhe Nisma për Kosovën me 1 ulëse.
Rahovec: Dyfishim i VV, Bien PDK dhe AAK
Në Komunën e Rahovecit struktura e ulëseve në asamble komunale ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme.
PDK që në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kishte 11 vende në asamble në zgjedhjet e 22 tetorit mori 9 sosh.
AAK po ashtu ra për një ulëse, nga 8 sa i kishte më 2013, në këto zgjedhje mori 7.
VV ishte ajo që bëri ndryshimin në asamble duke marrë 4 ulëse megjithëse kishte vetëm 2 ulëse në zgjedhjet paraprake lokale.
LDK ruajti vendet e mëparshme, duke siguruar 7 ulëse, ndërkaq AKR 1 ulëse.
Nisma për Kosovën bëri vend në asamble komunale të Rahovecit. për herë të parë me 1 ulëse.
Pejë: Rritje e ndjeshme e LDK-së
Komuna e Pejës ka ndërruar strukturën e asamblesë së vet komunale në zgjedhjet e 22 tetorit.
LDK ka fituar 15 ulëse na asamble nga 10 sa kishte në zgjedhjet e vitit 2013.
Rritje të vogël ka shënuar edhe VV me 3 asambleistë nga 2 sa i kishte më parë, për dallim nga PDK që mori një ulëse më pak në këto zgjedhje, duke siguruar 5 asambleistë nga 6 sa i kishte.
AAK nuk ka lëvizur me numër të ulëseve duke siguruar 10 në Pejë, aq sa kishte edhe në zgjedhjet e vitit 2013.
Në anën tjetër, dy parti të reja, Alternativa dhe Nisma për Kosovën arritën që të futen për herë të parë në asamblenë e Pejës me nga një ulëse.
AKR u zhduk nga kjo asamble duke humbur edhe atë ulëse që kishte pasur në zgjedhjet paraprake./KALLXO.COM/