Nxënësit e shkollës fillore “Dituria” në fshatin Llapashticë të komunës së Podujevës së shpejti do të bëhen me një objekt të ri shkollor, pasi që objekti i tanishëm i kësaj shkolle është i vjetër dhe nuk i plotëson kushtet për mësim, njofton Llapi.info.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Maloku, ka bërë të ditur për Llapi.info se ndërtimi i kësaj shkolle është në fazën e projektimit.
“Ndërtimi i shkollës së re në Llapashticë, është në fazën e projektimit të projektit. Projektuesi e ka dorzu projektin fillestar në Ministrinë e Arsimit me kqyr a është sipas standarteve që parasheh Ministria” tha Maloku për Llapi.info.
Sipas Malokut nëse MASHT-i nuk ka ndonjë vërejtje serioze atëherë me atë projekt ekzekutues do të fillojnë procedurat e prokurimit për ndërtimin e shkollës.
“Nëse Ministria nuk ka ndonjë vërejtje serioze, gjithashtu nëse edhe ne nuk kemi vërjetje atëhere me atë projekt, tash ekzekutues menihere do të fillojnë procedurat e prokurimit për me punu shkollën” shtoi ndër të tjera Maloku.
Objekti i ri i kësaj shkolle do të jetë standart, 9+1. Sipas Maloku ky standart parasheh që 9 klasë të kenë një hyrje ndërsa 1 klasë e cila do të jetë klasë për parafillorët do të ketë hyrje të veçantë.
Ndryshe, kjo shkollë do të ndërtohet me mjete kapitale të cilat Komuna e Podujevës i ka ndarë me Rishikimin e Buxhetit për vitin 2016./Llapi.info