Nxënësit e Shkollës Fillore “Ditura” në fshatin Llapashticë e Poshtme në Podujevë do të kenë objekt të ri shkollor. Me Rishikimin e buxhetit për vitin 2016, ndërtimi i kësaj shkolle është bërë pjesë e projekteve komunale, njofton Llapi.info.
Në seacën e jashtëzakonshme e cila u mbajt të mërkurën u tha se me Rishikim të buxhetit është ndarë buxheti për ndërtimin e këtij objekti.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha se kërkesa në qeveri për financimin e ndërtimit të kësaj shkolle është bërë që nga viti 2010, por nuk ka gjetur përkrahjen e qeverisë.
“Nga viti 2010 ne kemi kërkuar nga qeveria ndërtimin e shkollës në Llapashticë, por asnjëherë ky projekt nuk ka hyrë në projektet e buxhetit të qeverisë. Andaj, kemi vendosur që me Rishikim të buxhetit ta ndajmë buxhetin komunal për ndërtimin e kësaj shkolle”, ka thënë Veliu.
Buxheti që është ndarë për Drejtorinë e Arsimit me Rishikim të buxhetit është 230.963 euro. Pjesë e këtij buxheti është edhe ndërtimi i kësaj shkolle./Llapi.info