Në ditëlindjen e 71-të të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Dr.Ibrahim Rugova” në Podujevë, ka kremtuar ditëlindjen e saj të parë që kur mori emrin e kolosit dhe arkitektit të pavarësisë së Kosovës, njofton Zyra për Informim në Komunën e Podujevës.

Në kremten e ditës së shkollës, përveç nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës, morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Agim Kikaj, zyrtarë komunalë dhe mysafirë të shumtë.

Drejtori i shkollës, Selman Hoti, tha se nxënësit dhe stafi pedagogjik i shkollës është i nderuar që janë pjesë e shkollës që mban emrin e presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova.

“Emri që mban shkolla jonë na motivon për një mësim dhe punë më cilësore, në transformimin e shkollës në një qendër edukative arsimore gjithëpërfshirëse”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, duke përgëzuar nxënësit dhe mësimdhënësit për ditën e shkollës, tha se nuk do të kishte institucion më të përshtatshëm se kjo shkollë për të marrë emrin e Presidentit Historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova.

Duke iu drejtuar nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle, nënkryetari Rudari tha se
“Shkolla juaj ka një identitet të veçantë. Ju lutem që të punoni shumë në mënyrë që të jemi sa krenarë, po aq edhe të denjë për ta mbajtur emrin e rilindësit më të shquar të kohës moderne, filozofit, publicistit, krijuesit e kritikut letrar, politikanit e burrështetasit, Presidentit Historik të Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova”, ka thënë Rudari.

Kremten e ditën së shkollës e bënë edhe më madhështore nxënësit e kësaj shkolle, me një program të pasur kulturor e artistik.