Shkolla e djegur ditë më parë në fshatin Halabak të Podujevës e paraparë të ndërtohet vitin e ardhshëm, do të ndërtohet këtë vit. Një gjë të till e ka bërë të ditur ministri i MASHT-it, Arsim Bajrami në vizitën e bërë sot në fshatin Halabak të Podujevës.
“Si ministër i Arsimit kam qenë shumë i shqetësuar kur kam dëgjuar se është djegur shkolla dhe fëmijët kanë mbetur pa e vijuar mësimin. Kam ardhur t’ju them se ky është një shqetësim edhe i Qeverisë së Kosovës, po sidomos i MAShT, sepse këta fëmijë nuk guxojmë t’i lëmë asnjë ditë pa mësim dhe duhet të punojmë që ata mësimin ta bëjnë sa më afër. Për këtë kam vendosur që kjo shkollë të ndërtohet gjatë këtij viti”, ka thënë Bajrami, duke theksuar se kështu do të japim një shembull pozitiv të ndërtimit të një shkolle në afat rekord, njofton llapi.info.
Ministri Bajrami theksoi se deri në fund të këtij viti, në mos edhe më herët, 85 fëmijët e Halabakut, të cilët vijojnë mësimin nga klasa e parë deri në klasën e pestë, do të kenë një shkollë të re, një shkollë moderne që i plotëson nevojat e tyre.
Ai ka bërë të ditur se është bërë kërkesa në Qeveri për alokimin e mjeteve nga fondi rezervë, në mënyrë që në një periudhë sa më të shpejtë të ndërtojmë shkollën, që fëmijët e këtij fshati të gëzojnë një të drejtë elementare, sepse rruga deri te shkolla e parë është mjaft e rrezikshme dhe ka komunikacion të dendur.
Bajrami ka lutur prindërit e këtij fshati që derisa të ndërtohet shkolla e re, të gjejnë mënyra të organizimit për të dërguar fëmijët e tyre te shkolla më e afërt, në mënyrë që ata të mos humbin ditë mësimi./Llapi.info