Në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Podujevë, objekti i ri shkollor u ndërtua para 4 vjetëve, por edhe pse i ri, kushtet si objekt shkollor nuk i plotëson. Nxënësit në këtë shkollë ende po e vijojnë mësimin me tri ndërrime për shkak se nuk ka klasë të mjaftueshme për të gjitha paralelet.
Shpeshherë, këta nxënës nuk i mbajnë orët e plota, por me 40 minuta e në disa raste edhe 30 minuta dhe pa pushime të gjata për nxënësit. Ne këtë shkollë e ndjekin mësimin diku 38 paralele me mbi 1000 nxënës në një objekt që i ka vetëm 15 mësonjëtore.
Mësimdhënësi i kësaj shkolle tregon se ky objekti ka qenë donacion i Komisionit Evropian. Sipas tij, ky projekt është pranuar në këtë formë siç është ofruar, me gjithë vërejtjet që i kanë pasur, në mënyrë që mos ta humbim projektin.
“Ka shumë vështirësi, shkolla dhe klasat janë të stërngarkuara me nxënës. Në paralele, numri i nxënësve arrin në mbi 30, madje ka klasa me 37 nxënës. Vështirësitë janë më të theksuara në punën e ndërrimit të tretë”, ka thënë mësimdhënësi i kësaj shkolle.
Sipas tij, vështirësitë më të theksuara janë në ndërrimin e tretë, kur mësimi fillon nga orën 15 dhe përfundon në orën 18 e 30.
“Në këtë orar mbajnë mësim fëmijët e moshës 10 deri në 13 vjeçare, përkatësisht klasat e 3-ta, 4-ta dhe të 5-ta. Si nxënësit, ashtu edhe ne mësimdhënësit, në këto orë të pasdites vijmë të lodhur, na mungon energjia për punë, angazhimi e koncentrimi”, tha mësimdhënësi.
Ai tha se ky orar, si për nxënësit, ashtu edhe për prindërit, po paraqet probleme dhe vështirësi për udhëtimin e fëmijëve në orët e vona të mbrëmjes.
“Për t’u zgjidhur ky problem, e kemi vetëm një opsion, që në shkollat “Naim Frashëri” dhe “Shaban Shala”, të cilat i ndan vetëm një rrugë, ka mundësi që mësimi fillor të mbahet në një objekt dhe mësimi i mesëm i ulët në objektin tjetër ose objektit ku jemi të i shtohen së paku edhe katër klasë, që mësimi të jetë më efektiv”, shtoi ai.
Lidhur me shqetësimin e mësimdhënësve por edhe të prindërve, drejtori për arsim në Komunën e Podujevës, Agim Blakqori, tregoi arsyet se pse kjo shkollë po e vazhdon ende ndjekjen e mësimit me tri ndërrime. Ai tha se arsyeja e vetme është se aktualisht kjo shkollë, pavarësisht se është ndërtim i ri, donacion nga Komisioni Evropian, ka mungesë të hapësirës së mjaftueshme për numrin e nxënësve.
“Bazuar në kushtet që i ofron ky objekt, kjo shkollë është detyruar që mësimin ta zhvillojnë me tri ndërrime, duke filluar më herët se në orarin e zakonshëm dhe që mësimi të përfundojë më vonë se në shkollat e tjera”, tha Blakqori, duke e arsyetuar edhe orarin e shkurtuar të mësimit.
“Për orarin e shkurtuar të mësimit, e kemi të lejuar nga Ministria e Arsimit që të mbahen orët 40-minutëshe”, shtoi ai, duke thënë janë në dijeni që ky orar i mësimit po u shkakton probleme si nxënësve, ashtu edhe prindërve.
“Për zgjidhjen e këtij problemi, në planifikimet tona duhet t’i shohim mundësitë e zgjerimit të objektit ekzistues, në të ardhmen ose ndoshta edhe ndarja e shkollave në shkollë fillore dhe në shkollë të mesme të ulët, pra dy shkollat “Naim Frashëri” dhe “Shaban Shala”, tha ai.
Ndërsa për shqetësimin e prindërve ai shtoi:
“Prindërve të shqetësuar jua kërkojmë mirëkuptimin e tyre për shkak të zgjatjes së orarit, por i sigurojmë se plani dhe programi mësimor do të realizohet në tërësi, ashtu siç është planifikuar nga MAShT-i”.
Tre nxënësit e kësaj shkolle, Anuar Bllaca, Erind Ajvazi dhe Anika Bllaca, kanë treguar se orari mësimor me të cilin po e vijojnë mësimin nuk është i përshtatshëm për ta dhe shpeshherë, kur po e përfundojnë mësimin, po hasin në qen endacak.
Nxënësi i kësaj shkolle, Anuar Bllaca, që mësimin po e vijon në ndërrimin e tretë tha:
“Orari më i përshtatshëm për ne është në orën 7 e 30, sepse nuk ka shumë vetura dhe e kemi më të lehtë për t’u inkuadruar në mësim. Shokët dhe shoqet e klasës, të cilët po udhëtojnë nga fshati, e kanë të vështirë transportin”./Express