Shkolla fillore në fshatin Bellopojë të Podujevës është në gjendje të mjerueshme. Infrastruktura e saj është tërësisht e shkatërruar. Madje, muralet e korridoret e sajë të asociojnë me ato të një burgu, shkruan Llapi.info.

Dyer të thyera, murale të mykura e tualete të shkatërruara janë disa nga arsyet se përse disa prindër të këtij fshati më nuk po i dërgojnë fëmijët e tyre në këtë shkollë.

Sipas një faqeje në Facebook të këtij fshati, si pasojë e kushteve të këqija në këtë shkollë, prindërit kanë filluar që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në shkollat e fshatrave fqinje.

Banorët e fshatit Bellopojë kanë thënë se komuna e Podujevës deri më tani nuk ka bërë asnjëherë ndonjë renovim të shkollës dhe gjendja e tillë e sajë po rrezikon edhe jetët e fëmijëve.

Ata thonë se përveç kësaj edhe mësimi në kushte të tilla është vetëm një humbje kohe për fëmijët.

Banorët u kanë bërë thirrje organeve komunale të Podujevës se nëse  së shpejti nuk ndërmarrin masa lidhur me këtë shkollë atëherë ta mbyllin atë për shkak të rrezikshmërisë që vjen nga infrastruktura e keqe e sajë./Llapi.info