Kanë mbetur edhe disa ditë që të fillojë viti i ri shkollor.
Mirëpo, nxënësit e paraleles së ndarë në Surdull të Shkollës Fillore “Rilindja”, do ta gjejnë shkollën ashtu siç e lanë, në gjendje të mjerueshme me mungesë të kushteve bazike.
Sipas banorëve, kjo shkollë ka mbetur e harruar nga Komuna e Podujevës, pasi që ka mungesë të kushteve elementare. Përveç që nuk janë brenda objektit shkollor, tualetet e ndërtuar në oborr janë lënë në gjysmë, të hapura kështu edhe jo funksionale.
Edhe pse tashmë ka probleme primare, në këtë shkollë nuk do të ketë renovime. Kështu ka thënë për Llapi.info, Nazmi Elezi, Zyrtar për Informim në Komunën e Podujevës.
Sipas tij, në këtë shkollë dy vite më parë është bërë gëlqerosja e objektit.
“Në paralelen e ndarë në Surdull, të SH.F.M.U “Rilindja” në Herticë, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Podujevës para dy vitesh ka intervenuar në gëlqerosjen dhe renovimin e objektit, ndërsa sivjet për atë objekt nuk është planifikuar të investohet në renovim”, ka thënë Elezi.
E gjendje hiç më të mirë nuk e ka as shkolla “Kadri Kadriu” në fshatin Dumnicë të Epërme.
Në këtë shkollë mësimi me tri ndërrime deri më tani është zhvilluar në vetëm dy klasë, e problemi më madhor në këtë shkollë vazhdon të mos ketë tualete e as furnizim me ujë./Llapi.info