Shkolla e Mesme Teknike “Fan S. Noli” ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të merren masa ligjore ndaj nxënësve që rrahen dy profesorët e kësaj shkolle. Kjo kërkesë është bërë në mbledhjen e jashtëzakonshme që është mbajtur sot në shkollë, njofton komunikata për media e Sh.M.T. “Fan S. Noli”, përcjell Llapi.info.
Në komunikatë thuhet se është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e këshillit të arsimtarëve, ku morën pjesë drejtoresha e shkollës Vlora Ceraja- Hajdini, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Avni Maloku dhe Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Bislimi.
“Në këtë mbledhje u diskutua për sulmin e nxënësve ndaj profesorëve, me këtë rast të gjithë së bashku e dënuan sulmin ndaj profesorëve dhe kërkuan që të merren masat konform ligjeve dhe udhëzimeve administrative të MASHT-it. Njëherit kërkuam nga organet e rendit ta ndriqojnë rastin deri në fund dhe kryesit ta marrin dënimin e merituar”, thuhet në komunikatën e këtij institucioni.
Të martën dhjetë nxënës të Sh.M.T. “Fan S. Noli” kanë rrahur dy profesorë të kësaj shkolle si shenjë hakmarrje për notat e dobëta që profesorët u kanë mbyllur./Llapi.info