Të gjithë nxënësit që kanë kryer klasën e nëntë do të regjistrohen në shkollat e mesme të Podujevës. Kjo është bërë e ditur sot në takimin që Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka mbajtur me nxënësit që kanë mbaruar klasën e nëntë, e që kanë mbetur të paregjistruar në shkollat e mesme të larta në Podujevë, transmeton Llapi.info.

Sipas kumtesës komunale, gjatë takimit me nxënësit, të cilët shoqëroheshin nga prindërit, pasi ka dëgjuar kërkesat e tyre, Veliu i informoi ata se, në koordinim me drejtorin e Arsimit dhe drejtorët e shkollave të mesme, ka marrë vendim që të gjithë nxënësit që kanë mbaruar klasën e nëntë të regjistrohen në klasën e dhjetë.

“Ju njoftoj se të gjithë nxënësit që janë në listën pritëse për regjistrim në Gjimnazin ‘Aleksandër Xhuvani’, e të cilët kanë plotësuar kriterin bazë për të qenë nxënës të gjimnazit do të regjistrohen në klasën e dhjetë të kësaj shkolle. Për këtë qëllim gjimnazi do të hapë edhe katër paralele të klasave të dhjeta”, tha Veliu në takim në nxënësit dhe prindërit, ku ishin të pranishëm edhe Drejtori Arsimit dhe drejtori i gjimnazit.

Gjithashtu, edhe dy shkollat e tjera profesionale, Shkolla e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” dhe shkolla e Mesme Teknike “Fan S. Noli” do të pranojnë në klasat e dhjeta nxënësit që kanë konkurruar dhe që plotësojnë kriteret bazë për regjistrim.

Ndërsa, drejtoria Komunale e Arsimit në bashkëpunim me drejtorët e shkollave të mesme do të koordinojë punët rreth krijimit të paraleleve të reja dhe sistemimit të nxënësve në klasat e dhjeta./Llapi.info