Viti i ri shkollorë ka filluar që nga dita e hënë e kësaj jave, mirëpo në komunën e Podujevës shkollat akoma nuk janë pajisur me ditarë, njofton Llapi.info.

Kjo mungesë e ditarëve sipas Drejtorit të Drejtorisë për Arsim në Komunën e Podujevës, Avni Malokut, është për arsye të skadimit të kontratës të operatorit që i ka pajisur shkollat me ditarë.

“Operatorit që i ka sjell ditarët i ka skadu kontrata, nuk po e di tash saktë se kur i ka skadu mirëpo  kjo është arsyeja se pse shkollat në Podujevë për momentin nuk kanë ditarë”- tha Maloku për Llapi.info.

Mirëpo, sipas Malokut ky problem do të zgjidhet së shpejti pasi që është zgjedhur operatori i ri i cili do të bëjë furnizimin me ditarë.

“ Nuk është ndonjë problem i madh sepse është zgjedh operatori i ri për furnizimin me ditarë dhe kjo do të bëhet së shpejti. Deri të martën besoj se të gjithë shkollat do të pajisen me ditarë” shtoi ndër të tjera Maloku.

Ndërsa, edhe pse pa ditarë, shkollat po zhvillojnë procesin mësimorë  dhe nxënësve u janë shpërndarë një pjesë e librave. Nxënësit janë pajisur me libra të botuesit “Dukagjini” ndërsa sipas Malokut, shkollat janë në pritje të furnizohen edhe me librat e shtëpisë botuese “Libri shkollorë”./Llapi.info