Në disa fshatra të Komunës së Podujevës janë djegur sipërfaqet me pyje, raporton Llapi.info.
Si pasojë e kësaj janë dëmtuar pishat, shkurret dhe sipërfaqe tjera, ndërkohë që zjarrfikësit janë duke u përpjekur lokalizimin e zjarrit.
Kështu ka bërë të ditur në një njoftim Komuna e Podujevës, derisa në vendin e ngjarjes, sipas njoftimit, ka dalë edhe Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vigan Salihu.
“Ditëve të fundit disa sipërfaqe me pyje në disa fshatra janë përfshirë nga zjarret, Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vigan Salihu bashkë me zyrtarë të drejtorisë kanë dalur në terren për të parë gjendjen nga afër. Komuna është në koordinim të vazhdueshëm me ekipet e zjarrfikësve, të cilët po bëjnë përpjekje maksimale për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit. Lokalizimin e zjarrit po e vështirëson era e fortë që po fryne, e që përshpejton përhapjen e zjarrit. Zona më e prekur nga zjarri është fshati Reqicë, vendi i quajtur Lluqefc, si dhe Kërrshi i Uglarit me rreth 15 hektarë dhe zonat përreth. Drejtori Salihu ka bërë apel te të gjithë qytetarët e Komunës së Podujevës që të jenë më të kujdesshëm dhe të kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit si dhe të lajmërojnë institucionet relevante në rast se shohin zjarr në pyje”, thuhet në njoftim.
Duhet theksuar se kjo dukuri e djegies së pyjeve vazhdimisht përsëritet vit pas viti, përkundër thirrjeve të shumta që bëhen për t’u evituar një gjë e tillë./Llapi.info