Objekti i hemodializës s’do të ndërtohet në Komunën e Podujevës siç ishte planifikuar nga zyrtarët komunalë. Kjo është bërë e ditur nga vetë drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agron Hyseni, i cili gjatë seancës së fundit të Kuvendit Komunal, ka thënë se nuk do ta ndërtojnë këtë objekt.
Këshilltarja e PDK-së, Kumrie Hoti, është interesuar të dinte se pse nuk figuron ky projekt as në projektbuxhetin e vitit 2016 e as në planifikimet për vitet 2017-2019. Sipas saj, janë diku rreth 40 raste me hemodializë, që u duhet në baza ditore për të kërkuar trajtim në Prishtinë, ndërsa ndërtimi i këtij objekti në Podujevë do t’ua lehtësonte sadopak gjendjen shëndetësore, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndërsa, Agron Hyseni, ka thënë se hemodializa është hequr për shkak të shkurtimeve buxhetore që kanë ndodhur gjatë këtij viti. “Edhe nëse do ta ndërtonim këtu, ne prapë do të kemi shpenzime për bartjen e pacientëve, sepse ata janë nëpër fshatra të ndryshëm dhe sjellja deri në qytet prapë do të na krijojë shpenzime për derivate. Edhe trajtimi është i kushtueshëm dhe Drejtoria e Shëndetësisë nuk ka mundësi t’ua heqë këto shpenzime”, ka theksuar drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale… (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”).