Shoqata e të Zhdukurve “Përkorë” në Podujevë, përmes një njoftimi për media ka thënë se vizitat dhe përkuljet e Presidentit të vendit, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë shtetërorë, të cilët po bëjnë homazhe para lapidarëve të serbëve të vrarë gjatë luftës, ka zgjuar reagime të qytetarëve e veçmas të familjarëve të personave të zhdukur.

Ata thonë se krahas këtyre vizitave, Presidenti shfrytëzon rastin edhe të përmend pajtimin në mes të serbëve dhe shqiptarëve, e këtë pajtim synon ta fillojë mbi kurrizin dhe fatkeqësinë e kategorisë së qytetarëve që pësuan më së shumti në luftë.

“Pa dashur të nënçmoj edhe vuajtjet e dhimbjen e familjeve të serbëve të zhdukur, opinionit duhet t’i bëhet me dije se janë pikërisht serbët dhe aparati i tyre shtetëror i Serbisë i instaluar në veriun e shtetit, president i të cilit është Thaçi, që edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës nuk po lejojnë  hapjen e varrezave të dyshuara  në Mitrovicë”, ka thënë kryetari i kësaj shoqate, Latif Mehmeti.

Ai ka thënë se Presidenti duhet ta dijë se me vizita dhe përkulje para lapidarëve të serbëve të vrarë, Serbia kurrë nuk do të lejojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Komunikata e plotë:

Me vizitat dhe përkuljet e Presidentit të vendit para lapidarëve të vrarëve serbë nuk zgjidhet çështja e të  zhdukurve.

Kohëve të fundit Presidenti i  Republikës së  Kosovës, i shoqëruar nga  zyrtarë të lartë shtetërorë, po bëjnë homazhe dhe po përkulen para lapidarëve të serbëve të vrarë gjatë luftës së fundit në disa vendet të Kosovës.

Dhe tërë ky turne i homazheve presidenciale nëpër pllaka e lapidarë të serbë të vrarë, madje edhe në rrethana të pasqaruara siç është ai i rastit “Panada” në Pejë, me të drejtë ka zgjuar edhe reagime të qytetarëve e veçmas të familjeve të personave të zhdukur gjatë luftës.

Krahas vizitave e përkuljes pranë lapidarëve të serbëve të vrarë, presidenti shfrytëzon rastin edhe të përmend pajtimin në mes serbëve dhe shqiptarëve. Dhe këtë pajtim synon ta fillojë mbi kurrizin dhe fatkeqësinë e kategorisë së qytetarët që pësuan më së shumti në luftë, e këto janë  familjet e të zhdukurve.

Pa dashur të nënçmoj edhe vuajtjet e dhimbjen e familjeve të serbëve të zhdukur, opinionit duhet t’i bëhet me dije se janë pikërisht serbët dhe aparati i tyre shtetëror i Serbisë i instaluar në veriun e shtetit, president i të cilit është Thaçi, që edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës nuk po lejojnë  hapjen e varrezave të dyshuara  në Mitrovicë. Zvarritet me vite hapja e varrezave masive nëpër Serbi. Pra janë serbët ata që pengojnë zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Presidenti duhet ta dijë se me vizita dhe përkulje para lapidarëve të serbëve të  vrarë, Serbia kurrë nuk do të lejoje zbardhjen e fatit të  personave të zhdukur. Me këtë veprim, duke u përkulur para pllakave ku UÇK-ja cilësohet si organizata terroriste, Presidenti sikur po pranon mbi supe fajësinë për viktimat serbe. Skandaloze.  

Mund edhe ta kuptojmë presionin ndërkombëtar ndaj institucioneve të Kosovës, por nuk mund të kuptohet e as arsyetohen veprimet e udhëheqësve tanë shtetëror, të cilat mbyllin sytë përballë krimeve serbe.

E harruan gjenocidin mbi popullatën e tyre. Vrasjet, kidnapimet, dhunimet, të  zhdukurit (ende nuk është zbardhur fati 99 fëmijëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës).

Serbia dhe zyrtarët e saj shtetëror, asnjëherë nuk i përmendën krimet e kryera nga aparati i tyre shtetëror. Asnjë zyrtar serb nuk u përkulë para varreve të shqiptarëve të vrarë. As nuk pranuan përgjegjësinë.

Prandaj, para se të vazhdoni karvanin përkujtimor dhe të përkuljeve tek lapidarët me mbishkrimet ku cilësohet UÇK-ja terroriste, bëjeni një pauzë. Dhe meqë ju nuk mund të bëni asgjë përveç homazheve, të paktën insistoni në presionin ndërkombëtar ndaj Serbisë për zbardhen e fatit të personave të zhdukur.

Bëjeni këtë udhëheqës të këtij vendi, para se familjarët e të pagjeturve një ditë të vijnë dhe të hedhin lule e të bëjnë homazh para institucioneve që ju drejtoni./Llapi.info