Shoqata “Kinderaugen” nga Hude i Gjermanisë dje ka dhuruar një donacion më pajisje didaktike për shkollën fillore të mesme të ulët “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik të Podujevës, njofton Zyra për Informim në Komunën e Podujevës, transmeton Llapi.info.

Donacioni përmban pajisje didaktike, një shtrat për fizioterapi dhe pajisje sportive.

Sipas Zyrës për Informim në Podujevë, donacionin nga shoqata gjermane “Kinderaugen” e kanë pranuar nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Maloku dhe Ajet Ajeti, drejtor i shkollës “Kongresi i Manastirit”.

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, u shpreh i lumtur për donacionin dhe për miqësinë me popullin gjerman.

“Gëzohem për faktin se këto pajisje lehtësojnë punën e mësimdhënësve të një kategorie të veçantë të shoqërisë tone, siç janë fëmijët me nevoja të veçanta. Kjo shkollë për neve është e veçantë dhe trajtimi ynë ndaj saj, përherë ka qenë i tillë. Këtë e them për faktin se nga viti në vit kushtet dhe infrastruktura në këtë shkollë po vijnë duke u përmirësuar, e kjo falë bashkëpunimeve siç është edhe ky i sotmi”, ka thënë Rudari.

Ndërsa, drejtori i shkollës “Kongresi i Manastirit”, Ajet Ajeti e ka vlerësuar iniciativën e gjermanëve si shumë të rëndësishme dhe bëri thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i shoqatës “Kinderaugen”, Franz-Herbert Bunjor, ka falënderuar udhëheqjen e shkollës për bashkëpunimin dhe pritjen e organizuar duke shprehur kënaqësinë që po ndihmojnë këtë shkollë./Llapi.info