Rokada të shumta të mësimdhënësve janë bërë në disa shkolla të Komunës së Podujevës. Në asnjërin rast nuk është shpallur konkurs.
Kalimi i tyre nga një shkollë në tjetrën është bërë pa u përfillur procedurat. Një burim i ka thënë “Kohës Ditore” se politika e nepotizmi kanë dominuar në këtë proces.
E gjitha ka filluar kur Ibrahim S., mësues i ciklit fillor dhe Rrahman Sh., arsimtar i gjuhës shqipe, të dy në paralelen e shkollës “Luigj Gurakuqi” në Gërdofc, ishin pensionuar (i pari më 3 qershor e tjetri më 28 nëntor 2017), shkruan sot “Koha Ditore”.
Në vend të Ibrahim S. është punësuar Arbenita Sh., e cila ka studiuar për parafillor dhe jo për mësuese e ciklit fillor. Po i njëjti burim ka thënë se në vend të Rrahman Sh. është punësuar Selatin B., i cili deri në atë kohë kishte dhënë mësim në SHF “Ilir Konushefci” në fshatin Lluga.
“Ndërsa Taibe B., e cila ka qenë edukatore për parafillorë në shkollën ‘Luigj Gurakuqi’ në Batllavë, ka ardhur në vend të Selatin B. në shkollën e fshatit Lluga. Taibja e ka dajë të burrit shefin e arsimit në Komunën e Podujevës, Xhevat Llugaliu. Për asnjërin rast nuk ka pasur konkurs”, ka thënë burimi.