Një shpërthim i fuqishëm shkatërroi një ndërtesë në Hagë të Holandës, natën mes së shtunës dhe të dielës.

Të paktën 4 persona u dërguan në spital, mes tyre, sipas Associated Press, ka të paktën një fëmijë, por dyshohet se mund të ketë 20 viktima .

Autoritetet dërguan në vendngjarje një ekip të specializuar të kërkim-shpëtimit urban, me 4 qen të trajnuar për të gjetur viktimat.

“Rreth orës 06:15 të mëngjesit është shembur pjesërisht një objekt trekatësh dhe ka rënë zjarr. Deri më tani katër të plagosur janë dërguar në spital”, thuhet në njoftimin e Brigadës së Zjarrfikësve.

Aktualisht nuk ka të dhëna të qarta për shkakun e shpërthimit. Megjithatë, policia tha se ata ishin në kërkim të një makine të parë duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Stacionet televizive lokale intervistuan një fqinj i cili raportoi se kishte dëgjuar një fëmijë duke bërtitur për ndihmë ndërsa ndërtesa digjej.

Kryeministri holandez, Dick Schoof, tha se ishte i tronditur nga imazhet e tmerrshme: “Mendimet e mia janë te të plagosurit, për të gjithë njerëzit e tjerë të përfshirë dhe për shërbimet e urgjencës që po punojnë në vend”.