Dhuna në familje po vazhdon të jetë problem shumë i madh i shoqërisë kosovare.
Jo të pakta janë rastet kur viktimat e dhunës sistematike në familje kanë kërkuar mbrojtje edhe nga Policia e Kosovës, shkruan lajmi.net.
Rasti i fundit i dhunës në familje që tronditi mbarë opinionin u shënua në Gjakovë.
Atje i dyshuari P.N qëlloi për vdekje me armë zjarri bashkëshorten dhe vajzën e tij 9-vjeçare.
Pas këtij rasti, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut u ngritën në protesta, në Prishtinë e Gjakovë.
E gjatë këtij viti u shënua një numër i konsiderueshëm i rasteve të dhunës në familje.
Policia e Kosovës përmes statistikave të dërguara për lajmi.net, ka bërë të ditur se vetëm nga muaji janar e deri në qershor të këtij viti, janë shënuar gjithësej 628 raste(dy nga këto kanë përfunduar me vrasje të rëndë).
E në muajin korrik, janë raportuar gjithësej 123 raste të dhunës në familje në tërë territorin e Kosovës.
Në total, për shtatë muaj në Kosovë, janë raportuar 751 raste të dhunë në familje.
Tronditës është fakti që kjo dukuri është në rritje.
Kujtojmë se vetëm në 24 orëshin e fundit, janë raportuar tetë raste të dhunës në familje.
Ndryshe, numri i këtyre rasteve mund të jetë më i madh, pasi që një numër i konsiderueshëm nuk i raportojnë rastet e tyre në Polici.