60 mësimdhënës përnjëherë do të mbesin pa punë dhe paga në vitin 2019.
E, kjo është duke u parë si shqetësim i madh tek këshilltarët komunalë në Podujevë por edhe më gjerë.
Largimin nga puna të 60 mësimdhënësve në Podujevë, shqetësim kryesor po e sheh edhe Fatmir Rudari, këshilltar nga radhët e PDK-së, shkruan Llapi.info
“Shqetësim kryesor mbetet largimi i 60 mësimdhënësve në Podujevë. Nuk e di se si është menaxhuar nga Drejtoria e Arsimit, por çdo vit ka pasur pranim të kuadrit nga Drejtoria e Arsimit. 60 do të mbesin pa paga, këtë mësimdhënës shumica e tyre punojnë me mbi 20 vite në arsim. Tash, ju bie se do ta humbin vendin e punës”, ka thënë Rudari.
Se që është numër i madh i të larguarve e thotë edhe u.d i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Agim Blakçori.
“Çështja që na ka shqetësuar edhe ma herët, por përsëri mbetet shqetësim tek qarkorja e radhës. Në bazë të qarkores buxhetore 2019-01 kërkohet që të shkurtohen 60 vende të punës në arsim. Me të vërtetë jemi të shqetësuar të gjithë nëpër institucione të ndryshme i kemi paraqit shqetësimet tona. Shpresojmë që me lëshimin e qarkores së radhës të paktën të jenë marr me këtë problem”, ka thënë ai.
Tutje ai kur po raportonte në rendin e ditës për përfundimin e vitit shkollorë 2017/18, Blakçori shtoi se do të planifikohet mënyra e shkurtimit të vendeve të punës në Podujevë.
“Do të planifikojmë një afat më të gjatë, mënyrën e shkurtimit të vendit të punës dhe jo brenda një kohe shumë të shkurt të shkurtohen 60 vende pune në Podujevë. Padyshim është shqetësim si ekzekutiv ashtu edhe i asamblesë”, ka potencuar Agim Blakçori.
Kujtojmë, këtë shqetësim në seancën e kaluar e ka ngritur shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Rafet Llapashtica.
Ndërsa, edhe nënkryetari i Podujevës, ish-Drejtor i Arsimit, Nexhmi Rudari, në lidhje me këtë pati thënë se gjithmonë kanë qenë në ‘luftë’ me Ministrinë e Financave./Llapi.info