Në takimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) është shprehur shqetësimi për rritjen e rasteve të vjedhjeve në komunën e Podujevës, përkundër kësaj gjendja e sigurisë u vlerësua e qetë dhe stabile, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Inforimim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.

Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, Bekim Bislimi, gjendjen e sigurisë në komunën e Podujevës për periudhën raportuese dy-mujore e ka vlerësuar të qetë dhe stabile. Ai ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë me qytetarë në interes të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, por ka thënë se e shqetëson fakti se ka rritje të veprave penale të vjedhjeve.

Si një nga faktorët që kanë ndikuar në rritjen e vjedhjeve, Bislimi ka përmendur mungesën e zyrtarëve policorë në Stacionin e Policisë në Podujevë, ku është paraparë të jenë 91 zyrtarë, kurse janë 77, por 12 prej tyre muajt e fundit kanë qenë kryesisht të angazhuar në Prishtinë.

Edhe kryesyesi i këtij takimi, njëherësh Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, u shpreh i kënaqur me gjendjen e sigurisë, por shprehu shqetësim për rritjen e rasteve të vjedhjeve.

“Shpresoj se Ministria e Punëve të Brendshme, në këtë rast Drejtoria e Policisë, do të intervenojnë në kompletimin e Stacionit Policor me zyrtarë policorë, aq më tepër kur jemi komuna më e madhe për nga territori dhe ndër më të mëdhatë për nga numri i banorëve. Duhet të kihet parasysh fakti se Komuna e Podujevës është komuna më madhe në Kosovë për nga territori si dhe me një vijë kufitare prej afër 100 km gjatësi”, tha Veliu.

Sipas këtij njoftimi, KKSB lidhur me këtë çështje kërkon që Drejtoria e Policisë së Kosovës të ndërmarr masa në mënyrë që rritet numri i zyrtarëve policorë në Podujevë, duke pasur parasysh se ka mungesë edhe në bazë të numrit të planifikuar./Llapi.info