Kritika e sugjerime të shumta janë dhënë në pikën e rendit të ditës për informatën dhe gjendjen në arsim në Komunën e Podujevës. Pozita e ka përkrahur informatën e Drejtorisë së Arsimit për periudhën e parë 2018-19, ndërsa e kanë e kanë kundërshtar këshilltarët opozitarë, pasi që sipas tyre, cilësia e arsimit në këtë komunë është e dobët, shkruan Llapi.info

Këshilltarët opozitarë një varg kritikash ia kanë hedhur Agim Blakçorit, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Podujevës. Ata kanë thënë se nga kjo drejtori janë punësuar jashtëligjshëm, siç i quajnë ata, militantë politikë.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, duke shpalosur informatën e drejtorisë, ka thënë se procesi mësimor ka shkuar në rregull, ani pse edhe vetë thotë se ka pasur eksese. Thotë se shqetësuese janë mungesat e shumta të nxënësve.

“Mësimi në Podujevë ka përfunduar më 28 dhjetor 2018, puna është zhvilluar në të gjitha shkollat me procesin e paraparë. Nota mesatare në të gjitha nivelet është 3.45. Një numër i konsiderueshëm i mungesave është regjistruar gjatë kësaj periudhe”, ka thënë ndër tjerash ai.

Ndërsa, sa i përket sigurisë nëpër shkollave pas incidenteve të ndodhura, Blakçori ka shtuar se Drejtoria e Arsimit ka bashkëpunim të mirë me Policinë e Kosovës, por sipas tij, ata ankohen për mungesë stafit për të pasur pjesëtarë të tyre nëpër shkolla. Ndërsa, për incidentet mes nxënësve, ka thënë se ato kanë ndodhur jashtë objekteve shkollore.

Në anën tjetër, kritika, ankesa e sugjerime kanë dhënë partitë opozitare në Kuvend. Ata kanë folur dhe për mungesa të shumta si dhe rezultatet e nxënësve.

Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se nga kjo drejtoria ka të punësuar jashtëligjshëm. Sipas tij, ka drejtor shkolle që paguhet edhe me pagë mujore si drejtor e po ashtu edhe të mësimdhënësit. Thotë se cilësia e arsimit në këtë Komunë është e dobët, siç thotë ai, si rezultati i angazhimit politik të të punësuarve.

“Angazhimi pa konkurs i njerëzve, nuk guxon të punësohet në arsim as për zëvendësim të orëve pa konkurs publik, kush ua jep të drejt veç me i thirr njerëz në telefon hajde në punë? I keni injoru njerëzit, me magjistra t’u qëndru në shtëpi. Te siguria në shkolla, organet janë angazhoj. Pasi e ki pushtetin, vendosi drejtorët e LDK-së, por që të jenë kredibil e jo të arave që nuk kanë asnjë ditë shkollë. Nuk guxon nxënësi të futet në shkollë me artë të ftoha e profesori mos me guxu me mbajt orën siç duhet”, ka thënë pos tjerash ai.

Ndërsa, këshilltari i Lëvizjes Vetëvendosje, Bajram Ajeti, duke folur për gjendjen e sigurisë, ka thënë se punësime të jashtëligjshme nga ana e pushtetit ka në afatin e fundit të nëntorit.

“Çështja e punësimit, është duke u shkelur edhe ligji i veçantë e edhe dy rregullore administrative. Rasti konkret është te konkursi i nëntorit, ka shkelje aq të rënda të bazës ligjore saqë nuk e di ku po bëheni kaq trima, duke u ndje edhe krenar për shkelje të ligjit. Refuzohet masteri me përvojë punë e merret me bachelor se janë partiakë, është e tmerrshme”, ka thënë Ajeti.

Kurse, këshilltari i Ballit Kombëtar, Avni Islami njëherësh edhe profesor i shkencave të sigurisë, ka kërkuar që nxënësit gjatë pushimeve të qëndrojnë brenda shkollës.

“Për gjendjen e sigurisë, rastet duhet të minimizohen. Të parandalohen incidentet, nxënësit gjatë pushimeve duhet të qëndrojnë në objektet shkollore dhe kështu të ndalet ky problem”, ka thënë Islami.

Kujtojmë, në shkollat e Podujevës gjatë gjysmë-vjetorit të parë, kanë ndodhur incidente të ndryshme si rrahje e po ashtu edhe të therjeve me thika./Llapi.info