Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të tri komunave në jug të Serbisë, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, po kërkojnë që në procesin e dialogut dhe marrëveshjes politike që pritet të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të futet si çështje edhe zgjidhja për këto tri komuna.
Ata me anë të një deklaratë të përbashkët kërkojnë që në dokumentin përfundimtar të një marrëveshjeje të mundshme Kosovë – Serbi, të jetë e përfshirë edhe çështja e statusit të tyre.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi tha për Radion Evropa e Lirë se shqiptarët në Luginë të Preshevës, vazhdojnë të ballafaqohen me probleme dhe shkelje të mëdha të të drejtave njerëzore.
“Nuk mund të ketë stabilitet dhe paqe afatgjate në Ballkan derisa vazhdojnë të ekzistojnë burimet e krizës, çfarë janë këto në Luginën e Preshevës. Mendojmë se nuk mund të ketë raporte ndërfqinjësore të mira midis Serbisë dhe Kosovës, edhe eventualisht nëse arrihet një marrëveshje, derisa të drejtat e shqiptarëve këtu vazhdojnë të cenohen”.
“Prandaj, kemi kërkuar nga të gjitha palët pjesëmarrëse në këtë dialog në Bruksel, që të angazhohen që edhe çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët në Luginë të gjejnë një zgjidhje dhe të marrin drejtimin e duhur”, tha Kamberi.
Kamberi tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës, kërkojnë nga Presidenti i Kosovës, Kuvendi dhe Qeveria që të angazhohen shumë më tepër në realizimin e kërkesave të shqiptarëve në këto tri komuna.
Ai tha po ashtu se është irelevante nëse në procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë të ketë ndonjë përfaqësues nga Lugina e Preshevës, por, sipas tij, relevante është zgjidhja e problemit.
“Çështjet e pakicave kanë rol vendimtar. Derisa Kosova u ofron mundësi maksimale serbëve atje, në të njëjtën kohë Serbia ka kërkesa edhe mbi ato që ofron bashkësia ndërkombëtare, kurse shqiptarëve në Serbi u mohohen të drejtat më elementare, bile edhe ato të drejta të cilat me të drejtën e brendshme të Serbisë janë të garantuara”.
“Atëherë, ne kërkojmë që këtu të vendoset një paralelizëm. Krijimi i pakicave të privilegjuara si në rastin e serbëve në Kosovë në dëm të të drejtave fundamentale të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, nuk besoj se mund të jetë në të mirë të ndërtimit të fqinjësisë së mirë”, tha Kamberi.
Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për rajonalizim thotë se është joreale të pritet që në dialogun e Brukselit të zgjidhen çështjet e serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi, ngase, siç thotë ai, të dyja vendet i kanë sistemet e tyre normative, që rregullojnë të drejtat e pakicave.
“Diku të drejtat e pakicave rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve bilaterale të cilat Serbia i ka me Maqedoninë, Kroacinë, Hungarinë, Rumaninë, por që këto të drejta në gjithë Evropën janë të ndryshme. Kështu që këtu nuk ka një model të caktuar. Secili vend është rast më vete”, thotë Popov.
Ndërkaq, shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq, duke komentuar deklaratën e përfaqësuesve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, u kishte thënë atyre që të “mos luajnë”, duke nënvizuar se “çdo durim e ka edhe kufirin e vet”.
“Prishtina nuk dëshiron që të zbatojë atë që ka nënshkruar me Marrëveshjen e Brukselit për Asociacionin e komunave serbe, kurse këtu flasim për atë se këta tash po kërkojnë të drejta që nuk i kanë. Cilat të drejta nuk i kanë?”, kishte deklaruar Daçiq, duke kundërshtuar kërkesat e shqiptarëve të Luginës.
Në anën tjetër, Aleksandar Popov thotë se deklarata e përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës mund të jetë një tjetër përpjekje për realizimin e ideve për shkëmbim territoresh, ide këto të cilat i cilëson fare pak të besueshme.
“Pjesa më e madh e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos ajo pjesë e përfshirë në vendosjen e asaj se si do të duket marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nuk mbështet opsionin e ndarjes së territorit të Kosovës, ngase atëherë do të hapej procesi i ndarjeve të reja”, thotë Popov.
Ai thotë se komunat, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë janë ndër më të varfrat në Serbi, kështu që sipas tij, shteti serb duhet të investojë në zhvillimin e tyre dhe integrimin e të gjithë banorëve të atjeshëm, shqiptarë, serbë, romë e të tjerë.
Kurse, Jeta Krasniqi, njohëse e procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, [Instituti Demokratik i Kosovës] tha për Radion Evropa e Lirë se përfaqësuesit e qytetarëve të Luginës së Preshevës, kanë të drejtën të kërkojnë respektim të të drejtave të tyre në bazë konventave ndërkombëtare, reciprocitet të këtyre të drejtave me komunitetin serb në Kosovë, duke përfshirë këtu, siç tha ajo, edhe Kartën Evropiane të vetëqeverisjes lokale, të njëjtën mbi të cilën është synuar dhe ofrimi i të drejtave të komunitetit serb në Kosovë.
“Të drejtat elementare të qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës në mënyrë të vazhdueshme janë shkelur nga autoritetet e Serbisë. Dialogu Kosovë-Serbi synon përmirësimin e jetës së qytetarëve, patjetër që dhe çështja e garantimit të të drejtave të qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës duhet të jenë pjesë e adresimit dhe zgjidhjes në mes palëve. Kjo zgjidhje duhet të kërkohet edhe nëpërmjet rrugëtimin të Serbisë në BE”.
“BE-ja duhet të kërkojë nga Serbia respektim të të drejtave të komunitetit shqiptar në Serbi, duke e kushtëzuar rrugëtimin e Serbisë në BE dhe hapjen e kapitujve të rinj me respektimin të të drejtave njerëzore, politike dhe ekonomike të tyre. Liderët kosovarë në mënyrë të vazhdueshme kanë deklaruar se do të ketë reciprocitet me palën serbe. Të njëjtën po e kërkojnë edhe qytetarët shqiptarë në Luginën e Preshevës”, tha Krasniqi.
Qasja konstruktive e cila promovon të drejtat e qytetarëve, duhet të jetë thelb i këtyre diskutimeve në të dy anët e kufirit, pohon Krasniqi.
“BE-ja si lehtësuese e këtij procesi duhet ta synojë, për të ndërtuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Prandaj dhe vullneti i qytetarëve të Luginës së Preshevës duhet të merret parasysh, qoftë nga lidershipi kosovar, por ashtu dhe nga vetë lidershipi i Serbisë”, tha ajo.
Drejtuesit e komunave shqiptare në Luginën e Preshevës thonë se shqiptarët e këtyre komunave vazhdojnë të kenë probleme me arsimin, me pamundësinë që të furnizohen me tekste shkollore nga Kosova, si dhe pamundësinë për nostrifikimin e diplomave që i kanë marrë në Kosovë, pavarësisht marrëveshjeve që janë nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për njohjen e diplomave.