Në Klinikën Infektive të Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës, aktualisht janë të hospitalizuar 7 pacientë me Covid-19. Nga këta, 3 pacientë janë në terapi me oksigjen, ndërsa njëri prej tyre është duke u trajtuar në mjekimin intensiv.

Arben Vishaj, drejtori i Klinikës Infektive, ka shpjeguar për RTK-në se Covid-19 tani është një sëmundje e zakonshme në vend dhe nuk paraqet më emergjencë të madhe.

“Covid-19 nuk është më një situatë emergjente që kërkon masa strikte izoluese. Megjithatë, përherë ndodhin raste sporadike,” tha Vishaj.

Ai shtoi se pacientët e hospitalizuar janë kryesisht të moshuar dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike të tjera, si probleme me veshkët, mushkëritë, zemrën ose sëmundje të mëlçisë.

Vishaj gjithashtu parashikoi një mundësi për një rritje të lehtë të numrit të të prekurve në ditët në vijim, për shkak të lëvizjes së popullsisë dhe situatës epidemiologjike në vende të tjera të Evropës.

Ai theksoi se, megjithatë, nuk pritet një fluks i madh që të tejkalojë kapacitetet e Klinikës Infektive.

Në këtë periudhë të qetë epidemiologjike, Vishaj u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë vigjilencën e duhur. “Nëse ndihen simptoma të ngjashme me ato të gripit, si kollë, temperaturë, ose rrjedhje nga hundët, është e rëndësishme që të shmangin frekuentimin e zonave të mbyllura për të mos e përhapur infeksionin”, theksoi ai.

Ai rekomandon që qytetarët që ndjejnë simptoma të Covid-19 të konsultohen me mjekët në qendrat e mjekësisë familjare dhe, në rast se situata përkeqësohet, të kërkojnë ndihmë në Klinikën Infektive.