Që nga viti 2011 delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë në Bruksel kanë nënshkruar një varg marrëveshjes, por shumica prej tyre nuk janë zbatuar, ose janë zbatuar pjesërisht. Së fundi Qeveria e Kosovës ka nxjerrë një raport përmbledhës ku tregon se shumica e marrëveshjeve të ndërmjetësuara edhe nga BE, nuk kanë gjetur zbatim nga pala serbe.
Ishte 8 marsi i vitit 2011 kur Kosova si shtet për herë të parë u ul në tryezë të bisedimeve me Serbinë në kuadër të dialogut teknik i cili po niste mes dy shteteve, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Pas disa marrëveshjeve të arritura e të cilat po ngecnin në zbatim, një vit pas, më 2012, ky dialog u ngrit në nivel politik.
Tashmë kur janë bërë 7 vjet të dialogut politik e teknik me Serbinë, pothuajse asnjë marrëveshje e arritur nuk po zbatohet në tërësi. Të arriturat dhe sfidat e këtij dialogu tashmë janë përmbledhur në një raport të hartuar nga Qeveria Haradinaj dhe kanë të bëjnë kryesisht me mosgatishmërinë e autoriteteve në Serbi për të zbatuar pjesë të marrëveshjeve të arritura, raporton RTK.
Për sa i përket marrëveshjes për themelimin e Asociacionit, Qeveria konsideron se sfidë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje mbetet kundërshtimi i partive opozitare në Kosovë. Andaj konsiderohet se do të jetë sfiduese që të arrihet ekuilibrimi mes kërkesave të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese dhe interesave të komunitetit serb.
Te marrëveshja për integrimin e Policisë së Kosovës dhe shtrirjen edhe në veri, sfidë, sipas ekzekutivit, mbeten dokumentet e identifikimit, kontratat e punës, deklaratat profesionale, betimi në detyrë dhe sistemi i gradimit.
Ndërsa marrëveshja e drejtësisë ku parashihet shtrirja e drejtësisë edhe në veri të vendit, sfidë mbetet komunikimi i drejtpërdrejtë i institucioneve të Kosovës me ato në Serbi. Serbia i vulos dokumentet me mbishkrimin: “Republika e Serbisë – Kosova dhe Metohija – nën administrimin e OKB-së dhe Rezolutës 1244”. Kjo vulë vendoset në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës në veri.
Te pjesa e mbrojtjes civile, megjithëse 483 serbë të veriut janë integruar, kanë kontrata me institucionet e Kosovës, në praktikë ata nuk i ushtrojnë funksionet e tyre në pajtim me ligjet e Kosovës. Ata nuk u raportojnë institucioneve të Kosovës.
Ndërkohë, në raportin e Qeverisë konstatohet se marrëveshja e arritur për energjinë në Bruksel nuk ka shënuar asnjë përparim. Për pasojë mungesa e zbatimit të saj po e pengon KOSTT-in në përmbushjen e detyrimeve sipas Ligjit për Energji Elektrike dhe Licenca si dhe Përmbushjen e detyrimeve, sipas Direktivës së KE-së dhe Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
Për sa i përket çështjes së doganave, raporti thekson se doganat e Kosovës po e zbatojnë marrëveshjen e integruar të kufijve por nuk është arritur progres nga Qeveria e Serbisë për 2 vite në ndërtimin e 3 pikë-kalimeve të përhershme në Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë.
Tek liria e lëvizjes, sfidë mbetet regjistrimi i fakteve të gjendjes civile nga strukturat ilegale dhe mospranimi nga Serbia i dokumenteve të rregullta të lëshuara nga Kosova.
Marrëveshja për heqjen e barrikadave dhe lirimin e urës së Ibrit në Mitrovicë konsiderohet se është zbatuar pjesërisht. Sipas raportit, të gjitha obligimet e Qeverisë janë kryer, ndërkohë që procesi ka stagnuar nga ana e Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Derisa marrëveshja për bashkëpunim rajonal e cila parasheh përfaqësimin e Kosovës me fusnotë ndonëse ka shënuar progres, ajo është përcjellë shpeshherë me angazhime negative dhe keqinterpretuese nga ana e Serbisë. Sipas raportit të Qeverisë, në disa raste, Serbia është angazhuar në mënyrë aktive për ta vënë Kosovën në pozitë të vështirë kur vjen puna te përdorimi i simboleve dhe i emrit të saj. Kurse marrëveshja për Diplomat që u konsiderua një hap i mirë për shqiptarët e Luginës, ka mbetur vetëm në letër.