Treqind euro shtesë është shuma që do të marrin personeli shëndetësor deri në përfundim të pandemisë.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ka thënë se këtë bonus do ta përfitojnë gjithë punëtorët shëndetësor të cilët janë në listat zyrtare të pagave në Kosovë.
“I gjithë personeli shëndetësor që është në listat zyrtare të pagave në Republikën e Kosovës do të ketë pagën shtesë deri në përfundim të pandemisë”.
“Përshkallëzimi do të jetë edhe në aspektin profesional, por edhe të angazhimit të drejtpërdrejtë në luftimin e pandemisë COVID-19, por jo me një dallim të theksuar”, ka thënë Zemaj.
E ky stimulim për personelin shëndetësor po mirëpritet nga u.d i drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi.
Krasniqi për Ekonomia Online ka thënë se pos kësaj me ligjin anti-Covid do të ketë beneficione tjera për ta.
“Është një lajm i mirë që personeli shëndetësor do të merr një pagë shtesë nga ana e Qeverisë. Tash kemi edhe ligjin anti-Covid të miratuar në Kuvend dhe tashmë do të jetë gjithçka e rregulluar edhe në mënyrë ligjore e që do të jetë edhe më e lehtë për profesionistët shëndetësor dhe për Qeverinë që të marrë këto veprime”.
Teksa ka folur për punën që po bëhet nëpër spitalet e Kosovës në luftën ndaj pandemisë, Krasniqi tha se vërejnë mungesë të theksuar të stafit shëndetësor, duke thënë se një numër i tyre janë të infektuar me këtë virus.
“Ju e dini se resurset humane si në mjekë e infermierë dhe po ashtu edhe te stafi mbështetës teknik kanë qenë të mangëta me vite të tëra në ShSKUK dhe gjatë kohës së pandemisë këto mungesa janë vërejtur edhe më shumë”.
“Jo vetëm që kemi pasur mungesa, por ka pasur edhe një numër të konsiderueshëm të stafit shëndetësor të infektuar me COVID-19, pra kjo e ka vështirësuar edhe më shumë punën e stafin shëndetësor”, tha Krasniqi për EO.
“Pothuajse kanë punuar pa pushime, kanë punuar me orare të zgjatura dhe për këtë meritojnë falënderime dhe lëvdata më të veçanta”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka paralajmëruar se po synojnë që të marrin staf shtesë me mjekë e infermierë për t’u përgatitur për sezonin e vjeshtës dhe të dimrit.