Ndarje, shkëmbim territoresh, autonomi për veriun, korrigjim të kufijve. Këto janë fjalët më të përdorura në ditët e fundit në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se korrigjimi i kufirit me Serbinë do ta ketë mbështetjen ndërkombëtare, nëse arrihet që kjo çështje të përfshihet në marrëveshjen për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, në kuadër të dialogut të Brukselit.

Kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami tha për Radion Evropa e Lirë se është shumë e çuditshme që befasisht vendi është futur në një cikël polemikash në lidhje me kufijtë e Kosovës. Sipas tij, diçka e tillë mund të jetë shumë e rrezikshme.

“Këto dilema që po hidhen sidomos kur vijnë nga ana e institucioneve dhe politikanëve të Kosovës rihapin çështjen e statusit dhe kjo është një rrugë shumë e rrezikshme për vendin tonë, sidomos meqenëse e gjitha po bëhet në kontestin e dialogut me Serbinë. Prandaj edhe ekziston një frikë e madhe një kundërshtim i madh nga një pjesë e politikës kosovare, po edhe bashkësisë ndërkombëtare, sepse një rrugë e tillë vetëm sa mund ta zvarrisë çështjen të them ashtu të përmbylljes së ndërtimit të shtetësisë së Kosovës”, tha Bajrami.

Thaçi, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia në mënyrë paqësore mund të bëjnë korrigjimin e kufirin, duke përmendur me këtë rast përfshirjen e komunave jugore të Serbisë, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në kuadër të territorit të Kosovës.

Ndërkaq Kosova, sipas tij, nuk e ka si opsion ndarjen e asnjë pjese të saj për t’iu bashkuar Serbisë.

Thaçi nuk ka dhënë detaje se si mund të ndodhë një gjë e tillë.

“Është momenti që Prishtina zyrtare ta mbështesë kërkesën e shqiptarëve të komunave, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, për t’iu bashkuar Kosovës”, ka deklaruar Thaçi pak ditë me parë në një konferencë për media në Prishtinë.

Partitë opozitare në Prishtinë e kanë akuzuar Thaçin se ka vënë kufijtë e Kosovës në pazar. Opozita, e cila mbetet e ndarë mes veti, thotë se do të marrë masa në Kuvend dhe jashtë tij, për ta ndaluar Thaçin.

A është ndarja luftë?

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e përjashtoi mundësinë e diskutimeve dhe negociatave për ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve me vendet fqinje. Sipas Haradinajt, prekja e kufijve do të thoshte luftë.

“Kufijtë janë vendosur me luftë, veç lufta i luan. Kush kujton se luhen kufijtë ndryshe është gabim”, tha sot Haradinaj gjatë një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë .

“Këta kufij janë vendosur nga Ushtria Çlirimtarë e Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-s, këta janë kufij lufte”, tha tutje kryeministri Haradinaj.

Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se ndarja e territorit të Kosovës, shkëmbimi i territorit apo çfarëdo opsioni që ka si qëllim ndryshimin e kufijve, nuk është opsion fare për Qeverinë e Kosovës dhe është vijë e trashë e kuqe dhe e pakalueshme.

President i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se tash është koha më e mirë për të gjetur një zgjidhje me Kosovën dhe se vendi i tij është i interesuar për paqe dhe jo te ketë vrasje për territor.

“Zgjidhja e problemit të Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt, si dhe serbët e shqiptarët duhet të deklarohen a kemi nevojë për paqe apo të vazhdojmë të vritemi për territor?”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media në Beograd.

Vuçiq u shpreh se marrëveshja, për të cilën ai ka dyshime se do të arrihet, nuk do t’i bëjë serbët të festojnë, por as shqiptarët nuk do të festojnë.

Roli i BE-së dhe SHBA-së

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që mos te ketë tensione në Kosovë, të cilat mund t’i dëmtojnë përpjekjet e përbashkëta për arritje të një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Një thirrje e tillë ka ardhur pasi mediat në Kosovë dhe Serbi raportonin për tensione të mundshme më 4 gusht, kur ekipi menaxhues është dashur ta paraqesë draftin e statutit për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurse, Shtetet e Bashkuara thonë se zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët dhe të jetë në duart e tyre.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit tha se “SHBA-ja është e gatshme t’i dëgjojë dhe t’i ndihmojë palët në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët”.

“Tani është koha që palët të jenë kreative dhe fleksibile”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Reagimi i DASH-it erdhi pas sugjerimeve se zgjidhja e mundshme e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi mund të arrihet me shkëmbim territoresh në vija etnike.

Thaçi dhe Vuçiq pritet te takohen në shtator ku dhe do të flasin për idetë e tyre se si mund të duket marrëveshja finale Kosovë-Serbi.
Ndarja e Maqedonisë dhe Bosnjës

Daniel Serwer, profesor në Universitetin John Hopkins në Uashington, vlerëson se korrigjimi i kufijve, është një ide e keqe. Në një analizë të tij, Serwer thotë se shumica e serbëve në Kosovë, si dhe manastiret më të rëndësishme të serbëve dhe vendet e tjera fetare nuk janë në veri.

“Ata që janë jug të lumit Ibër do të jenë në rrezik afatshkurtër dhe afatgjatë, nëse shkëmbehet territori”.

Sipas Serwerit, një shkëmbim i tillë do ta destabilizonte Maqedoninë dhe Bosnjën.

“Shkëmbimi i territorit do të rriste përkrahjen për ata shqiptarë në Kosovë që favorizojnë bashkimin me shqiptarët dhe ata të Maqedonisë, të cilët dëshirojnë të bashkohen në një Shqipëri të Madhe, që potencialisht do të destabilizonte edhe Maqedoninë.”

“Republika Serbe, që 49 për qind kontrollohet nga serbët e Bosnje dhe Hercegovinë, do të duan të ndjekin shembullin, duke shpallur pavarësinë dhe duke kërkuar të bashkohen me Serbinë”, ka shkruar Serwer.