Shteti po refuzon t’u tregojë qytetarëve taksapagues se si i shpenzoi 600 mijë euro për festimet e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Po arsyetohen se ende nuk i kanë mbledhur të gjitha faturat, ani se tashmë kanë kaluar 100 ditë nga festimet.
Zyra e Presidentit, brenda se cilës ka funksionuar këshilli organizativ, ka thënë se nuk merren me financa. Ministritë, nga ana tjetër kanë hedhur përgjegjësitë nga njëra tek tjera.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 13 shkurtit kishte ndarë plotë 600 mijë euro për të gjitha organizimet. Mjetet ishin ndarë nga kategoria e shpenzimeve të rezervave.
Gazeta Insajderi, përmes kërkesave për qasje në dokumente publike ka kërkuar të dijë si janë shpenzuar këto para, mirëpo institucionet ende nuk kanë ofruar faturat e shpenzimeve.
Fillimisht me 20 shkurt, një kërkesë zyrtare Gazeta e ka dërguar në zyrën e Presidentit.
Me 27 shkurt, zyrtari për qasje në dokumente, Gentrit Zeqiri ka kthyer një përgjigje, sipas të cilës Zyra e shefit të shtetit nuk e ka menaxhuar fondin.
“Kërkesa juaj e dërguar me 20 shkurt 2018 është shqyrtuar dhje ju informojmë se zyra e presidentit nuk menaxhon me fondin për shënimin e dhjetëvjetorit të pavarësisë”, thuhet në përgjigje.
Sipas Ligjit për qasje në dokumente, institucioni që e pranon kërkesën e që ka njohuri se kush mund të jap përgjigje konkrete, duhet ta përcjell kërkesën te institucioni dhe zyrtari përkatës.
Për këtë obligohet nga neni 7 i Ligjit në të cilin flitet rreth përpunimit të kërkesave për qasje në dokumente zyrtare.
Saktësisht pika 2 e tij thotë: “Nëse institucioni publik nuk posedon, nuk disponon ose nuk e mbikëqyrë informatën, e ka njohuri për organin gjegjës, resorin e tij ose institucionin tjetër, menjëherë ose më së voni pesë (5) ditë pune, nga dita e pranimit të kërkesës me shkrim të kërkuesit, është i detyruar që kërkesën t’ia përcjellë organit gjegjës ose sektorit të tij, i cili e posedon, disponon ose e mbikëqyrë informatën”.
Zyra e Presidentit brenda së cilës ka funksionuar këshilli organizativ për shënimin e dhjetëvjetorit nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Insajderi, të njëjtën kërkesë i ka drejtuar edhe Ministrisë së Financave dhe Protokollit të Shtetit.
Të dyja institucionet janë përgjigjur se nuk kanë menaxhuar këtë fond. Ministria e Financave kërkesën e ka përcjellë te Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, e cila ka sipas tyre ka menaxhuar fondin e ndarë nga Qeveria.
Me 6 mars Insajderi ka marrë një përgjigje nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit se kanë pranuar kërkesën për qasje në këto shpenzime, por nuk është prezantuar raporti i shpenzimeve.
Arsye për këtë ishte thënë se janë mospagesat e tërësishme të të gjitha faturave.
“ Ministria e Financave na e ka përcjellë një kërkesë për qasje në dokumentet publike lidhur me shpenzimet për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë MKRS.
“Ju njoftojmë se ende jemi në procesin e pagesave. Derisa të bëhet përfundimi i tërësishëm i pagesave nuk mund t’u ofrojmë ndonjë përgjigje apo raport”, thuhej në përgjigje.
Edhe pas dy muajve nga kjo përgjigje, në këtë ministri nuk ofruar dokumentet e shpenzimeve.
Osman Gashi udhëheqës i Divizionit për Komunikim në ministrinë e Kulturës, thotë se nuk ka ende një raport final për shpenzimet.
Sipas tij, ende ka fatura që nuk janë dorëzuar nga operatorët.
“Lidhur me pyetjen tuaj për shpenzimet e dhjetëvjetorit të pavarësisë, ende nuk është hartuar raporti final sepse ende ka fatura që nuk janë dorëzuar nga operatorët. Në momentin që hartohet ky raport do t’ua përcjellim”, thuhet në përgjigjen e Osman Gashit.
Sa pagoi shteti për koncertin e Rita Orës?
Organizimi kryesor i dhjetëvjetorit të pavarësisë këtë 17 shkurt ishte koncerti i këngëtares nga Prishtina me famë botërore, Rita Ora.
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, kur e kishte konfirmuar ardhjen e saj në Kosovë, kishte thënë se ajo nuk kishte kërkuar para për koncertin që do të mbante në Prishtinë.
“Kam kënaqësinë të konfirmoj ardhjen e yllit tonë botëror Rita Ora, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë. Ajo nuk ka pranuar të paguhet për këtë ngjarje dhe kjo do të thotë shumë për personalitetin e saj”, kishte shkruar Pacolli në Facebook.
Disa ditë para 17 shkurtit disa media kishin raportuar se koncerti ishte anuluar për shkak të mos pagesës për stafin teknik. Por që këshilli organizativ kishte mohuar, pasi që me miratimin e buxheti në mbledhjen e Qeverisë “gjithçka do të shkojë sipas planit”
Rita Ora ishte në Kosovë, e mbajti koncertin e jubileut të pavarësisë por sa kushtoi me të vërtetë e tërë kjo, Insajderi nuk ka marrë përgjigje.
Aktivitetet tjera: Konferenca, ekspozita, mbledhje solemne, shfaqje teatrale e filma
Këshilli Organizativ për shënimin e dhjetëvjetorit pati bërë publike agjendën e festimeve, që fillonte nga 15 shkurti deri më 18 shkurt. Ishin paraparë që nga dita e parë të mbahen konferenca, ekspozita, mbledhje solemne, shfaqje teatrale e filma të ndryshëm për të shënuar 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Për gjatë dy ditëve me 17 dhe 18 shkurt do të mbaheshin organizimet kryesore kryesisht në sheshet e Prishtinës, si aktivitet sportive të fëmijëve, festivali me rreth 500 fëmijë dhe 105 animatorë, Koncerti i Xixëllonjave, defileja e Ansamblit “Shota”.
Një koncert i “Shotës” u mbajt ditën e parë edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës, një ekspozitë “Kosova – nga historia në shtetësi” Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Në Kino “ABC” ishte shfaqur filmi “Babai”.
Dita e parë do të përmbyllej me koncertin e Rita Orës.
Për shkak të anagzhimeve të zyrtarëve ndërkombëtarë të ftuar për këtë ditë seance solemne, ajo që rëndom mbahet çdo 17 shkurt u mbajt ditën e dytë të festimeve, me 18 shkurt.
Menjëherë pas kësaj, u bë edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës Sheshet “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti”.
Të njëjtën ditë u bë edhe mbjellja e 115 pemëve në memorialin “Adem Jashari” në Prekaz.
Edhe përmes një konferenca ndërkombëtare me titullin “Një dekadë pavarësi – Rruga evropiane e Kosovës” u mbajt po atë ditë.
Ndërsa nga ministria e Punëve të Jashtme u promovua “Libri i Pavarësisë” me deputetët që e kanë shpallur pavarësinë.
Në fund u bë edhe një pritja shtetërore nga Presidenti, Hashim Thaçi në një hotel luksoz të Prishtinës, me një koktej për të gjithë pjesëmarrësit.