Pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk janë paguar për orët e punës që kanë bërë jashtë orarit që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Ndonëse atyre nga qeveria u ishte premtuar se kompensimet do të ndodhin në fillim të këtij muaji, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Krejt kjo po ndodhë për shkak të mungesës së mjeteve financiare.
Mos kompensimin e orëve shtesë për zyrtarët policor e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, për lajmi.net.
Ata kanë treguar se kompensimi material është bërë në fund të muajit dhjetor.
Në një përgjigje për lajmi.net, Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, ka treguar se në mungesë të buxhetit, orët shtesë të punës kompensohen me marrje të ditëve të pushimit.
“Sipas procedurave te brendshme qe aplikohen në Policinë e Kosovës është e rregulluar çështja e kompensimit me ditë të lira apo mjete materiale. Kompensimi material është bërë në muajin Dhjetor të vitit të kaluar. Varësisht nga mjetet qe ka në dispozicion behët edhe kompensimi material, ndërsa në mungesë te tyre kompensimi behët edhe me ditë të lira”, kanë thënë nga Policia e Kosovës për lajmi.net
Edhe Valbona Kamberi kryetare e Sindikatës së Punëtorëve të Policisë, ka konfirmuar ndërprerjen e kompensimit për orët shtesë.
Ajo për lajmi.net ka thënë se në bazë të informative që ka, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të mungesës së buxhetit.