Foto: Llapi.info

Në mungesë të prokurorit është shtyrë seanca e shqyrtimit gjyqësor për grabitjen në Komunën e Podujevës ngjarje kjo që ka ndodhur në vitin 2000.

Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj, deklaroi se prokurori i çështjes Valdet Gashi e ka njoftuar se nuk mund të prezantojë në seancë për shkak se i njëjti ndodhet jashtë Kosovës për një udhëtim zyrtar dhe pasi që në seancë nuk prezanton ndonjë prokuror tjetër në mungesë të kushteve seancën e shtyu për një datë tjetër.

“Prokurori gjendet në Tiranë zyrtarisht dhe nuk prezanton asnjë prokuror tjetër i cili do e zëvendësonte prokurorin e çështjes. Nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor andaj trupi gjykues merr aktvendim që shqyrtimi i sotëm nuk do të mbahet dhe seanca e radhës caktohet për datën 17 maj”, deklaroi gjyqtarja Valbona Musliu-Selimaj.

Sipas aktakuzës në tetor të vitit 2000 në Podujevë, pikërisht në Kuvendin Komunal, Albert Ademi, në bashkëkryerje me persona të tjerë, tani për tani NN. ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër-Kuvendit Komunal me qëllim që vetës t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme dhe me anë të këtyre veprimeve ka kryer veprën penale të grabitjes.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari dhe personi tani për tani i panjohur NN. duke përdorur dhunën dhe armë, në atë mënyrë që me përdorimin e forcës kanë depërtuar në brendi të objektit të Komunës nëpërmes derës dytësore, kanë depërtuar në brendi të objektit dhe përmes korridorit të katit përdhese kanë hyrë në sektorin e financave ku dy personat e maskuar e kanë mbajtur paraprakisht rojën e objektit me duar të lidhura duke ia mbyllur gojën me përdorimin e dhunës dhe kanosjes i akuzuari Albert Ademi në bashkëkryerje me personin tjetër NN. kanë thyer me forcë derën e zyrës nr.17 dhe nga aty kanë marrë arkën (sefin) me diametër 90x60cm e kanë tërhequr përmes dritares së zyrës dhe e kanë marrë me vete.

Sipas Prokurorisë në atë arkë kanë qenë 40.929.DM. e cila arkë në të njëjtën ditë është gjetur në lumin e fshatit Surkish të Podujevës e thyer dhe e demoluar, ndërsa nga vendi i ngjarjes Policia i ka marrë 10 gjurmë gishtërinjsh e të cilat gjurmë pas ekspertimit daktiloskopik ka dalë se i përkasin të akuzuarit Albert Ademi./Kallxo.com