Shtyllat elektrike të drurit nuk janë larguar plotësisht edhe pse janë vendosur shtyllat e betonit në shumë vende të Podujevës, raporton Llapi.info

Kjo gjë po shkakton probleme në trotuaret dhe lagjet e qytetit pasi që nga dy shtylla po bllokojnë trotuaret. Madje disa nga ato të vjetra kanë filluar të rrëzohen.

E nga mos largimi i tyre, ka bërë që në shumë vende tashmë në këto ditë kur Podujeva u godit nga moti i ligë, shtyllat të këputën e të rrezohen mbi shtëpi, duke bllokuar rrugë në fshatra e duke mbyllur derën e shkollës “Ibrahim Rugova”.

Nga moti i ligë dhe rrëzimi i tyre në shumë vende të Podujevës me orë të tëra nuk ka pasur energji elektrike.

Për mos zhvendosjen e shtyllave të drurit Komuna e Podujevës ka bërë përgjegjëse KEDS-in.

“Këto punë janë në dorë dhe në prioritet të KEDS-it”, ka thënë Nazmi Elezi nga zyra për Informim në Komunën e Podujevës.

Në lidhje me këtë Llapi.info ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala, i cili ka shtuar se nuk është përfunduar projekti akoma.

“Me siguri nuk është përfunduar ende projekti, dhe besoj që së shpejti do të largohen”, ka thënë shkurt ai.

Kësisoj, banorët shprehen se nevoja për t’i ndërruar dhe për t’i larguar shtyllat e vjetra është e kamotshme.

Kështu ka thënë një banor i fshatit Sfeqël duke shtuar për shumë kohë, shtylla në këtë vend ka qëndruar e mbështetur për një mbajtës, por që u rrëzua nga era që përfshiu Podujevën ditë më parë.

Më tej ai ka dërguar edhe fotografinë ku shihet përçuesit e këputur e rruga plotësisht e bllokuar.

Tutje banorët tjerë kanë apeluar që të bëhet zgjidhje në lidhje me këtë çështje, pasi që mund të jetë me fatalitet qoftë në dëme materiale apo në njerëz.

Ndërsa, shtyllat e betonit në Komunën e Podujevës kanë filluar të vendosen në vitin 2016, kështu duke i vendosur edhe matësit e energjisë elektrike në to./Llapi.info