Të paktën katër vjedhje të rënda kanë ndodhur në më pak se 10 ditët e fundit, vetëm në fshatin Peran, të Komunës së Podujevës, shkruan Llapi.info.

Të katër vjedhjet janë cilësuar të rënda edhe nga ana e Policisë së Kosovës, të raportuara në raportet 24 orëshe në data të ndryshme.
Llapi.info, ka biseduar me një familjare të familjes që u dëmtua nga hajnat kohëve të fundit –

21 mijë euro është shuma e vjedhur e parave të gatshme dhe gjësendeve vetëm në njërën nga shtëpitë.

Kështu i tha në kushte anonimiteti Llapi.infos, pjestarja e njërës nga familjet.

Këto raste kanë shtuar pasigurinë në fshat, derisa siç na tha ajo: shumë shtëpi bëjnë edhe roje gjatë natës.

8 mijë e 200 euro para të gatshme dhe stoli ari në vlerë të 5 mijë eurove, është bilanci që është raportuar në polici, të një vjedhje tjetër, po ashtu në fshatin Peran.

Burime brenda Policisë, deklaruan se një nga familjet e dëmtuara ka deklaruar gjatë intervistimit se vlera e dëmit ndaj tyre kap shifrën e 13 mijë e 200 eurove.

Mbi 34 mijë euro besohet të jetë vlera e vjedhjes së parave të gatshme dhe gjësendeve me vlerë, vetëm në dy shtëpi, në Peran të Podujevës.

Llapi.info raportoi mbrëmë një sekuencë të pamjeve, ku një person i maskuar shihet teksa hyn në një shtëpi për të vjedhur.
Pothuajse të gjitha rastet, janë duke ndodhur gjatë kohës së iftarit.

Policia dhe Prokuroria, kanë njoftuar se janë intensifikuar hetimet për kapjen e kryerësve të këtyre rasteve të rënda.