Pa përkujdesje shëndetësore kanë mbetur disa persona me sëmundje mendore në Komunën e Podujevës.
Të tillët tërë kohën e kalojnë rrugëve e parqeve të qytetit.
Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Zaim Thaçi, nëpërmjet Zyrës për informim ka thënë se të sëmurët mendorë janë në kompetencë të Qendrës për Shëndet Mendor në këtë komunë, raporton KOHA.
Por psikiatri në Qendrën e Shëndetit Mendor, Orhan Qerimi, ka thënë se janë më shumë se 20 persona që refuzojnë të marrin trajtim mjekësor dhe se kjo u lejohet me ligj.
Qerimi thotë se ata mund t’i trajtojnë këta persona pavullnetshëm vetëm në rast se shkaktojnë ndonjë incident.
Por, për shkak të mungesës së automjetit, kjo qendër i ka ndalur vizitat edhe nëpër shtëpi për t’i trajtuar personat që kanë probleme mendore.
Ndërsa prejse ka ndodhur pandemia COVID-19 janë ndaluar edhe qëndrimet ditore të këtyre personave në qendër, ku 15-20 veta në ditë zhvillonin aktivitete të lira dhe merrnin ushqim e pije falas.
“Për këta pacientë (në rrugë v.j.) nuk funksionon lidhja familje-pacient-Qendra e Shëndetit Mendor, sepse nuk ka interesim prej familjes. E dyta, pacienti jo çdoherë është i vetëdijshëm për veprimet e tij, edhe Qendra e Shëndetit Mendor nuk ka kontakt me të. Shkojmë nëpër shtëpi, nuk i gjejmë. Ne nuk mundemi me dalë rrugëve me i ndjekë pacientët. Shtrirja në spital është e domosdoshme kur sëmundja rikthehet dhe është e pakontrollueshme”, ka thënë Qerimi.
Në anën tjetër, partitë opozitare në këtë komunë kanë thënë se trajtimi i këtyre personave duhet të bëhet nga institucionet, duke pasur parasysh vështirësitë që mund t’i kenë familjet për menaxhimin e këtyre rasteve.
Psikiatri Orhan Qerimi thotë se në Komunën e Podujevës i ka në trajtim 401 pacientë me probleme psikike dhe se ndërtimi i një strehimoreje, sipas tij, do të ishte shumë e nevojshme.