Rreth 60% e rasteve që janë duke u trajtuar në klinikat e QKUK-së, e që janë pozitive me Covid-19, janë raste me oksigjenoterapi.
Sipas drejtoreshës së Klinikës Infektive, situata me pandeminë tashmë është shqetësuese, dhe se janë duke punuar me kapacitete të plota.
Në hapësirat e SHSKUK-së, përfshirë edhe spitalet rajonale, gjatë të enjtes janë trajtuar 268 pacientë me Covid-19. Prej tyre 166 në klinikat e QKUK-së dhe 102 në shtatë spitalet e përgjithshme, raporton KOHA.
E në Klinikën Infektive janë gjithsej 100 raste, prej tyre 61 me oksigjenoterapi, 2 raste më të komplikuara në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike.
Këtë të mërkurë Kosova ka shënuar përsëri shifra rekorde të të infektuarve, me 214 raste të reja me koronavirus, dhe 4 persona të vdekur, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 86, e që, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, përveç infektimit me Covid-19 kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Rritja e numrit të të infektuarve javëve të fundit bëri që Kosova të futet në listën e vendeve me rrezik të lartë për përhapjen e koronavirusit për shumë shtete. Përveç Zvicrës e Gjermanisë, tashmë edhe Italia ka vendosur që personat të cilët e vizitojnë Kosovën të karantinohen për 14 ditë. Derisa shtetet e rajonit, si Mali i Zi e Maqedonia, e kanë bërë të obligueshme testin negativ për Covid-19.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes Facebookut, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për test vështirëson qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave mes dy shteteve.
Ndërkohë numri i të infektuarve në Kosovë ka shkuar në 4 mijë e 100, e nga 1 e deri më 7 korrik, përmes pikave kufitare në Kosovë, kanë hyrë mbi 500 mijë persona.