Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim për pezullimin e zbatimit të vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin energjisë.

Nëpërmjet vendimit të saj, Gjykata konstatoi se ekzekutimi i vendimit të ZRRE-së do të shkaktoj dëm të pariparueshëm për qytetarët dhe se ky dëm do të manifestohet në aspektin financiar, përkatësisht në vështirësitë e qytetarëve që të përballojnë pagesën e faturave me tarifat e reja të energjisë elektrike, ngritja e të cilave është vështirë e përballueshme të mbulohet nga qytetarët, veçanërisht për faktin e rritjes enorme të çmimeve në shumë produkte esenciale të shportës familjare.

Me këtë vendim KEDS obligohet që të aplikojë tarifat e vjetra të energjisë elektrike, të cilat kanë qenë, para shtrejtimit që kishte ndodhur më 9 shkurt 2022.

Por në anën tjetër Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të ankohet në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për të shtyrë ekzekutimin e vendimit për shtrenjtimin e rrymës.

Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullah. Sipas tij, vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës është i ligjshëm.

“Ne ende nuk e kemi pranuar vendimin, por sapo ta kemi atë ne do të apelojmë vendimin e Gjykatës Themelore në përputhje me këshillën ligjore. Vendimi i ZRrE-së për të caktuar të hyrat maksimale dhe tarifat e energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Fejzullahu.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.