Ndërkohë që shqiptarët, kudo nëpër botë, po vazhdonin të ekzaltoheshin pas golave të fitores së Xhakës dhe Shaqirit ndaj Serbisë, e serbët po e vajtonin disfatën, një 16 vjeçar nga fshati Suhadoll po pranonte grushte nga një grup huliganësh që flisnin serbisht.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën, një orë para mesnatës, te vendi i njohu “tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë. Redon Hajdari thotë se grushtet i hëngri si hakmarrje që fqinjët e tij serbë kanë nisur ndaj shqiptarëve që jetojnë në Veri, pas betejës së humbur të Botërorit 2018
Redon Hajdari, 16 vjeç, bashkë me një shok të tij, të shtunën në mbrëmje, po ktheheshin këmbë në shtëpi, në Suhadoll, nga pjesa jugore e Mitrovicës, kur tek vendi i njohur si “Tre Rrokaqiejt” u rrahën keq nga një grup huliganësh serbë.
16 vjeçari që e pësoi më së keqi nga sulmi, të hënën, ka rrëfyer për Gazetën Express dhunën fizike që e pësoi dy net më parë.
I mbetur i shtrirë nga plagët që mori, Redoni, në një nga dhomat e shtëpisë së tij tregon se grupi i huliganëve që e rrahën u kishin dalë atyre në pritë. Thotë se të gjithë ishin të maskuar.
“I këna pa te një mur. Fillimisht janë kanë veç 5 vetë. Si i kemi pa na, veç e kemi ul kryt dhe jemi mundu me ec sa ma shpejtë me kalu”, nis të kujtojë 16 vjeçari ndodhinë e të shtunës.
Thotë se në atë moment njëri prej serbëve të maskuar e ka qëlluar me guri në kokë, nga ana e djathë e tij.
“M’ka qit gjak menjëherë edhe mu kanë marrë ment. Jam mundu me ik po s’kom mujtë”, rrëfen nxënësi i shkollës së mesme.
“Atëherë ma kanë qitë kamën edhe jam rrzu. Jam shku zhag për toke edhe më kanë sillë sa kanë mujtë grushta, shkelma”, thotë i riu nga fshati Suhadoll, që ndodhet në Veri të Mitrovicës dhe është i banuar me shumicë serbe.
“Mas 2-3 minuta kur ata e kanë kry, jam çu. Menjëherë, nuk i kom ni dhimtë se jam kanë i nxehtë. Kur jam shku mas 20 metrave jam rrzu prap, se mu kan marr ment. M’kan pa disa kojshi të Suhadollit, edhe m’kan marr e m’kan çu me kerr deri te ni supermarket. Masnej janë ardh policia. Më kanë çu në spital të Bajrit, masnej më kan çu në Prishtinë”, vazhdon tutje rrëfimin e tij Redon Shaqiri.
Gjatë kohës sa ai po hante grushte, Redoni thotë se shoku i tij kishte arritur me vrap t’u ikte sulmuesve, të cilët më pas i gjithë grupi i ishin vërsulur vetëm atij.
“Atë e kanë përplas për njëfarë shufre hekuri por ai ka mrri me ik”, tregon 16 vjeçari për shokun e tij. Duke përsëritur se edhe vetë kishte provuar të merrte vrapin, porse goditja me guri në kokë e kishte alivanosur.
Redoni, dy disa orë pas kësaj ngjarje, ka mavijosje të mëdha në fytyrë dhe trup. Sikurse, thotë se të mëdha janë edhe dhimbjet që po përjeton nga lëndimet që mori nga grushtet.
“Shpina shumë po më dhemb. N’kambë kam plagë. Hundën ma kanë thy. Kryet e kam të qajt, po më dhëmb shumë”, thotë ai.
I riu që pohon se vazhdimisht është provokuar nga komshinjtë e tij serbë të fshatit Suhadoll, thotë se rrahja që pësoi të shtunën në mbrëmje ka qenë si pasojë e mllefit që serbët kanë përjetuar pas humbjes në futboll nga Zvicra.
Për përfaqësuesen e helvetikëve në Botërorin që po mbahet në Rusi, të premten, dy gola i kishin shënuar kosovarët Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Futbollistët shqiptarë të kombëtares së Zvicrës kishin festuar me shqiponjë, golat e tyre.
“Të premten o kon loja. Të shtunën ka ndodhë mas orës 11 të natës”, thotë ai.
“Shaqiri e Xhaka që e qiten shqiponjën. Ata [sulmuesit] sikur me planifiku. Se krejt janë kanë të maskum. Më kanë fy në gjuhen serbe. Si kom kuptu krejt çka më kanë than, po veç që m’kan sha e di”, thotë i riu nga Mitrovica.
Ngjarjen e të shtunës e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Ndonëse nuk tregojnë për të arrestuar, ata thonë se edhe sulmuesit janë të mitur.
Po ashtu, Policia bën të ditur se gjatë sulmit janë përdorur edhe mjete të forta.
“Kemi mbledhur shënimet për secilin. Edhe ata janë të mitur. Sidoqoftë, jemi duke i zhvilluar hetimet”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.