Sindikata e Pavarur e RTK-së ka kërkuar që urgjentisht të nisen procedurat për shkarkimin e Bordit të RTK-së.

Përfaqësuesit e Sindikatës janë takuar sot në ambientet e Kuvendt të Kosovës me kryetaren e Komisionit Parlamentar për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media, Doarsa Kica Xhelilin, nënkryetarin Valon Ramadani dhe anëtarët e kryesisë Njazi Isaku, Fitim Haziri e Besim Muzaqi.

Sindikata, ka kërkuar nga deputetët e komisionit që të niset urgjentisht procedura e shkarkimit të Bordit të RTK-së, duke thënë se janë marrë vendime të jashtëligjshme dhe tejet të dëmshme për transmetuesin publik, të punësuarit e saj dhe dhe publikun e gjerë.

Sindikalistët kanë ofruar disa fakte, sipas tyre, për keqpërdorime, si:

  1. Zgjedhja e drejtorit gjeneral të RTK-së pa votën e 2/3 të anëtarëve të Bordit ashtu siç parashihet në nenin 32, pikën 3 të ligjit të RTK-së: “Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së emërohet dhe shkarkohet me 2/3 e votave të anëtarëve të Bordit.”

2.Zgjedhja në pozitën e Drejtorit të RTK 2 të personit i cili duke qenë redaktor i portalit kosovoonline.com, ka shtyrë përpara agjenda të dëmshme për vendin, njëra prej tyre është ndarja e RTK 2 prej RTK. Për këtë vendim kishte reaguar edhe ish kryetari, njëherit nënkryetarit aktual i Komisionit QLAPZHRM, Mërgim Lushtaku i cili ndër të tjera, me 3 nëntor 2020, thotë se me zgjedhjen e Zhelko Trvdishiqit drejtor të RTK2 ”është cenuar siguria shtetërore”.

  1. Zgjedhja në pozitën e zëvendës drejtorit gjeneral të RTK-së të personit i cili në zgjedhjet Parlamentare të vitit 2019, votuesit i kishte quajtur pro-rus dhe anti-perëndimorë, duke shkelur kështu rëndë standardet profesionale dhe parimet e gazetarisë të cilat janë të miratuara nga vet Bordi i RTK-së. Po ashtu të pranishmëve si dëshmi iu ofrua edhe materiali prej 28 faqesh i ish anëtarit të Bordit të RTK-së, Hisen Berisha i cili ndër të tjera thotë: “RTK është shndërruar në vend të manipulimit me paranë publike, keqmenaxhimit, konfliktit të interesit, tejkalimeve të qëllimshme buxhetore, punësimeve pa kritere, mospërfillje të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm, refuzim të bashkëpunimit me auditorë të brendshëm, etj.” Ky material është publikuar në vitin 2015 dhe përfshinë periudhën kur zv. drejtori gjeneral i tanishëm, Mentor Shala ishte drejtor gjeneral i RTK-së.

4.Miratimi nga Bordi i propozimit të drejtorit Ngadhnjim Kastrati për zgjedhjen e Driton Morinës në pozitën e Udhëheqësit të Shërbimeve të Përbashkëta, pa e plotësuar njërin prej kritereve kryesore të paraparë me konkurs, përvojën e punës.

5.Punësimet klienteliste, nepotiste e partiake. Vetëm përgjatë tetorit të 2020 janë realizuar pesëmbëdhjetë punësime të reja me kontratë të rregullt, megjithë mbipopullimin me staf dhe gjendjen e vështirë financiare si pasojë e borxheve milionëshe të krijuara nga shpenzimet e pakontrolluara të cilat po e rrezikojnë çdo ditë stabilitetin e RTK-së. Njëra prej të punësuarve në RTK-Radio me këtë konkurs është bashkëshortja e Valmir Klaiqit, ish këshilltarit të Kadri Veseli. Gjatë viteve (2020-2021) kanë ndodhë dhjetëra punësime me kontratë mbi vepër, ku janë përfshirë familjarë të kryetarit aktual të Bordit Sali Bashota (dhëndri), drejtoreshës së financave, Adelina Hyseni-Valla (motra), të ish presidentit Thaçi (djali i vëllaut), të anëtarit të PDK-së, Migjen Kelmendi (vajza) etj. Është me rëndësi të theksohet se me kontratë mbi vepër në shumë raste angazhohen persona të cilët nuk kanë asnjë angazhim dhe fare nuk vinë në punë, siç është rasti i Leotrim Thaçi. Madje ky person ka kontratën e Menaxherit të njësisë për të Drejta Autoriale të cilën kontratë e ka edhe kolegu Naser Gjinovci. Përveç kësaj, angazhimi në pozita menaxheriale me kontratë mbi vepër është i kundërligjshëm.

e familjarëve të Menaxhmentit. Babai i zv.drejtorit aktual gjeneral, Lorik Arifajt është shpërblyer financirisht pasi që është penzionuar. Me mjete shtesë financiare, përveç pagës së rregullt është shpërblyer edhe bashkëshortja e zv. drejtorit gjeneral, Mentor Shalës.

7.Mos pagesa, për pesë muaj rresht (Prill-Shtator 2020) e Trustit të të punësuarve, edhe pse paratë atyre iu ishin marrë nga pagat në fillim të çdo muaji. Ky veprim i Menaxhmentit është bërë pa dijeninë e të punësuarve. Si pasojë e kësaj papërgjegjësie, të punësuarit e RTK-së për këtë periudhë kohore janë privuar nga e drejta për përfitime nga investimet ne aksione, pasi që, Trusti Pensional, siç e dimë, paratë e grumbulluara nga të punësuarit i investon kryesisht në tregje ndërkombëtare dhe përfitimet e realizuara nga këto investime ua ndan kontributdhënësve.

8.Veprimet diskriminuese ndaj të punësuarve gjatë shpërndarjes së ndihmave solidare. Ndihmat solidare të cilat u jepen të punësuarve për rastet e vdekjeve, me vite të tëra janë shpërndarë në mënyrë selektive.

9.Veprimet diskriminuese gjatë procesit të avancimeve dhe shpërblimeve të të punësuarve. Janë punësuar dhe avancuar familjarë të ish kryetares së Bordit, Afërdita Maliqi, (djali i dajës Jeton Sopi dhe reja e dajës Kristina Sopi). Afërdita Maliqi është nënshkruese e vendimit të paligjshëm të zgjedhjes së drejtorit gjeneral, Ngadhnjim Kastratit. Gjatë muajit shkurt të këtij viti, Jeton Sopi u arrestua së bashku me një grup të kidnapuesve në Gjilan dhe ai ndodhet në paraburgim. Sipas raportit të policisë, Jeton Sopi kishte të kaluar kriminale. Përveç pagës bazë, ky person deri në ditën e arrestimit ka marrë edhe pagë shtesë në formë të aneks kontratës. Vetëm brenda dy viteve, Jeton Sopi nga një fillestar është avancuar në pozitën më të lartë në katalogun e vendeve të punës, Mjeshtër zëri, pozitë të cilën të punësuarit e tjerë në RTK nuk mund ta arrijnë edhe pse kanë më shumë se 15 vjet përvojë pune në RTK. Me pagë të dyfishtë është paguar edhe drejtoresha e financave, Adelina Valla si dhe Udheheqësi i Administratës, Erzen Këpuska. Vitin e kaluar (2020), gjatë raportimit në komisionet përkatëse të Kuvendit, Bordi i RTK-së kishte deklaruar se i ka ndërprerë të gjitha aneks kontratat (pagat shtesë).

10.Menaxhmenti i RTK-së ka penguar Auditorin Gjeneral, duke mos bashkëpunuar me të, që të realizojë auditimin e performancës në RTK. Ky auditim ka filluar në fund të vitit 2018 dhe ende nuk ka përfunduar. E në anën tjetër Menaxhmenti i RTK-së shpenzon mijëra euro të buxhetit duke angazhuar auditor privat.

Sindikata po ashtu ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që t’i nisë procedurat për formimin e Komisionit Hetues Parlamentar me qëllim të kuptimit të vërtetës rreth ligjshmërisë së kontratave pa kritere e pa mbulesë financiare; blerjes së produkteve televizive të cilësisë së dobët nga producentë të cilat janë familjarë të personave politikë; punësimeve pa kontroll e pa kritere, borxheve milionëshe etj.

“Një hetimi të detajuar duhet t’i nënshtrohen edhe paratë e shpenzuara për qiramarrje të pajisjeve teknike. Vetëm me një kontratë për digjitalizim të një pjese të vogël të materialeve të vjetra televizive, gjatë vitit 2018, RTK ka shpenzuar 289 mijë euro. Sipas një raporti të kompanisë franceze “INA” të financuar nga EBU, këto materiale do të mund të digjitalizoheshin nga stafi i RTK-së dhe me një kosto shumë më të vogël. Gjithashtu, çështja e pronës, objektit dhe financimit të qëndrueshëm, duhet të marrin epilog në kuadër të ligjit të RTK-së. Ne presim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të reagojnë shpejt dhe të jenë efikas në trajtimin e këtyre çështjeve shumë të rëndësishme për Transmetuesin e vetëm Publik në vend”, thuhet nga Sindikata.