Prishtinë, 10 korrik – Aksioni i sotshëm i Policisë së Kosovës në rajonin e Anamoravës është një shembull tjetër i përdorimit të tepruar të forcës, përmes të cilit Prishtina synon të frikësojë serbët e Kosovës dhe të shkaktojë destabilizim përmasash të gjera, reagoi Lista Serbe përmes një komunikate për media, transmeton Koha.net.
Prishtina shihet qartë se është nervoze për shkak të humbjes së mbështetjes ndërkombëtare dhe dobësimit të pozicionit në negociatat me Beogradin dhe frustrimin e saj, sipas recetës tashmë të njohur, e demonstron duke dërguar policët e saj special deri në dhëmbë të armatosur ndaj popullit duarthatë, thuhet në komunikatë.
Serbe përmes kësaj komunikate u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të mos lejojnë të provokohen dhe shton se Serbe në bashkëpunim me Qeverinë e Serbisë do të ndërmarrë masat e domosdoshme për të ndalur këtë tërbim banditesk, dhe të arrestuarve t’u ofrojë ndihmën e nevojshme, transmeton Koha.net.
Në përputhje me përcaktimet tona programore dhe premtimet parazgjedhore, do të vazhdojmë të luftojmë kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës dhe thërrasim qytetarët e nacionalitetit serb të mos marrin pjesë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, që Prishtina në mënyrë antiligjore dëshiron ta transformojë në ushtri, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.