Edhe Komisioni Europian është “i hapur” për zgjidhje fleksibile ndërmjet Beogradit e Prishtinës, nëse ajo do të ishte marrëveshje përfundimtare. Por kusht është që marrëveshja të mos jetë “mostër” për shtet e tjera, spekulon e përditshmja e Beogradit “Novosti”, e njohur për pikëpamjet e saj nacionaliste serbomëdha.

“Do të pranonim çfarëdo marrëveshje ndërmjet dy palëve që do të kishte për bazë zgjidhjen reale, të zbatueshme dhe të qëndrueshme”, siç shkruan kjo gazetë se i ka thënë një bashkëbisedues me pozitë të lartë nga Brukseli, transmeton Koha.net.

Po sipas saj, mbështetje për një qëndrim të tillë ishin deklaratat e Johannes Hahnit, komisionarit për Negociata e Zgjerim, i cili ndër të tjera kishte thënë se marrëveshja e arritur, si një domosdoshmëri gjeopolitike, duhet të respektojë të gjitha anëtaret e BE-së, duke saktësuar se bëhet fjalë për zgjidhje bilaterale e cila nuk mund të përdoret si model për çështje të tjera. Gazeta thirret në “burime” të saj, sipas të cilave qëndrimi i Hanit nuk është personal, por përfaqëson pozicionin e Komisionit Europian.

ëtu do shtuar edhe deklaratën e Maja ocijançiçit, zëdhënëses së përfaqësueses së lartë të BE, Federica Mogherini, sipas të cilës Beogradit e Prishitna duhet t’u jepet hapësirë për marrëveshje. Vetë Mogherini ka theksuar vazhdimisht se të dy palët përcaktojnë të pavarura fushat e marrëveshjes.

Problem, sipas kësaj gazete, paraqet fakti se Gjermania ende nuk ka vendosur përfundimisht të lëshojë pe.

Në selinë e BE-së, shkruan “Novosti”, nuk kanë dashur zyrtarisht të komentojnë deklaratën e Hahnit, ndërsa si shkak përmendet se po presin të shohin çfarë prfshin marrëveshja dhe a do të përmendet aty fare “korrigjimi i kufijve”.

Rundi i ri i dialogut ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet në Bruksel, më 7 shtator.