Nuk është dënuar askush prej ekipit mjekësor që ia kishin harruar gazën në trup gjatë një operacioni të zorrës së verbër. Por Isak Ahmeti nga Podujeva deri tash nuk ka marrë as dëmshpërblim për këtë, shkruan sot Koha Ditore.
Si për të parën edhe për të dytën ai dyshon se “njerëzit e fuqishëm” po ndikojnë një gjyqësorin kosovar që lënda e tij të vjetrohet dhe që pas mosndëshkimit për trajtimin të pandërgjegjshëm, të vjetrohet edhe kjo për dëmshpërblim.
Megjithatë, Isak Ahmeti thotë se nuk do të ndalet për të kërkuar drejtësi për padrejtësinë që konsideron se iu bë. Ai thotë se ka shkuar shpesh në Gjykatën e Apelit për të pyetur se çfarë është bërë me këtë lëndë dhe të vetmen përgjigje që ka marrë “është në procedurë”.
Në anën tjetër, zyrtari për informim publik në Gjykatën e Apelit, Arbër Jashari, thotë se kanë shumë lëndë të pashqyrtuara dhe se ajo për Isak Ahmetin nuk hyn në grupin e atyre që kanë përparësi.
Isak Ahmeti thotë se ka vuajtur shumë pasi për tre vjet e kishte bartur gazën në trup pa e ditur fare. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)